Në vitin 2021 kohë kur nisi të zbatohej ligji që të dypunësuarit duhet të deklarojnë të ardhur për efekt tatimi, numri i shqiptarëve që bënin dy apo më shumë punë ishte 68 mijë. Në 2022 ky numër arriti në 57 mijë dhe në vitin që lamë pas numërohen vetëm 49 mijë qytetarë që bëjnë dy apo më shumë punë. Por në një vend me mungesa të forta të fuqisë punëtore, pse numri i të dypunësuarëve po shënon rënie?
“Ka disa faktorë. Së pari ata qytetarë që kanë dëshirën, mundësinë dhe aftësinë për të bërë dy punë kanë emigruar. Ky mendoj është faktori kryesor. Arsyeja e dytë është që duke qenë se biznesi i vogël u përjashtua nga taksat, individët hapën biznese dhe shfrytëzuan ligjin me taksa zero. Së treti norma tatimore që në shumë raste aplikohet 23% nga bashkimi i dy pagave, konsiderohet e lartë dhe i dekurajon individët të deklarojnë”, u shpreh Edvin Stefani ekspert fiskal gjatë një interviste për emisionin E-ZONE, në Vizon Plus
Por sipas ekspertit Stefani viti 2024 duket se do të tregojë të kundërtën, pra mund të rritet numri i të dypunësurëve.
“Anomalia e krijuar me hapjen e nipteve për të mos paguar tatim si biznes i vogël, duket se këtë vit do të marrë kthesë. Ligji i tatimit mbi të ardhurat dhe tatimi me dy norma duket se do të sjellë një mbyllje të nipte dhe kthim në sistemim e pagave, si të punësuar”, sqaroi Stefani.
Individët që bëjnë dy apo më shumë punë, në fund të viti sipas një formule të përllogaritur nga tatimet, duke bashkuar dy apo më shumë paga, tatimi që aplikohet arrin në 23 %. Kjo barrë tatimore ka dekurajuar individët. /vizionplus.tv/