Lajme

Plenkoviq për rastin e Banjskës: Për pak sa nuk nisi lufta Kosovë-Serbi

By GAZETA SCANNER 1

February 13, 2024

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se në Kosovë “për pak sa nuk nisi lufta”.

Këtë deklaratë, ai e lidhi me rastin e sulmit terrorist të grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Heroi Afrim Bunjaku, e edhe tre terroristë.

“Para katër muajsh e gjysmë ka pasur aso tensionesh në Kosovë sa që për pak sa nuk nisi lufta mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Plenkoviq, kur u pyet nëse në takimin e partisë HDZ u fol për shërbimin ushtarak.

Ai përmendi invazionin rus në Ukrainë, sulmin e Hamasit ndaj Izraelit dhe sulmet pasuese të forcave izraelite ndaj Hamasit, por edhe konflikte tjera nëpër botë.

“Nëse i shohim tensionet nëpër vende tjera në fqinjësinë tonë, nëse shohim kërcënimet e shkaktuara nga migrimi i paligjshëm… atëherë në fokus na vjen një fjalë – e ajo është siguria”, u shpreh kryeministrit kroat.

Ai shtoi se gjeneratat e reja nuk dinë asgjë për aftësi të caktuara në rrethana të ndryshuara.

Prandaj, ai tha se futja e disa moduleve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që është diskutuar në publik kohët e fundit, nuk ishte teka e dikujt, por sjellje e përgjegjshme për shkak të mjedisit të ndryshuar të sigurisë.