Lajme

Pezullohet drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri pasi që goditi me shpullë një qytetar

By GAZETA SCANNER 1

August 03, 2024

Drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri, Altin Qato është pezulluar nga detyra pasi ka goditur një qytetar.

Në njoftimin nga Policia e Shtetit u bë e ditur se Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, sapo e ka parë videon e publikuar në rrjete sociale, ka urdhëruar pezullimin e Qatos.

“Gjithashtu, ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204, pika 2, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, “Sjellja e rendë diskredituese”. Hetimi disiplinor do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”.

“Sqarojmë opinionin publik se qytetarët që shfaqen në video nuk ishin pjesë e protestës që po zhvillohej nga banorët e zonës në aksin rrugor Thumanë-Kashar, por udhëtonin me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore, të cilët i kanë këshilluar për të ulur shpejtësinë dhe për të qëndruar në radhë deri sa të normalizohej lëvizja”.