Përurohet shërbimi për Frytnim të Asistuar Mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, investim mbi 2 milionë euro
Prishtinë, 24 dhjetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, sot përuruan shërbimin e ri të Frytnmit të Asistuar Mjekësor, në Klinikën e Gjinekologjisë.
Kryeministri Kurti deklaroi se inaugurimi i këtij shërbimi, pra mundësisë për fertilizim të asistuar, do t’i bëjë të lumtura shumë çifte në Kosovë. Ai pa nga afër aparaturën moderne e cila arrin koston rreth dy milionë euro.
“Gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë, gjysma është prej ShSKUK-së, me ç’rast vetëm aparatura e laboratorit të embriologjisë është mbi një milion euro, dhe përveç kësaj, ishin edhe dy ultrazë të ri, si dhe një pajisje e cila ishte version i kombinuar i histeroskopisë e laparaskopisë”, njoftoi tutje kryeministri.
Nga Klinika e Gjinekologjisë, kryeministri Kurti u bëri thirrje të gjitha çifteve të cilët dëshirojnë që të bëhen prindër, sepse pas këtij investimi të përbashkët tash kanë një adresë publike, moderne dhe cilësore.
Shërbimi i Frytnimit apo Fertilizimit të Asistuar Mjekësor do të jetë falas për dy herët e para, ndërkaq pas dy herëve të para ai do kushtojë 670 euro, dukshëm më lirë se shërbimi në sektorin privat që ka çmimin rreth 3 mijë euro.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se punën më të madhe e ka bërë reparti, sidomos kjo klinikë me drejtorin Zef Ndrejaj, për çka falënderoi gjithë stafin e Klinikës Gjinekologjike për punën e shkëlqyer që po e bëjnë.
Ngjashëm, përgëzime për punën pati edhe kryeministri, i cili falënderoi stafin dhe në veçanti shefin e repartit Leandrit Bejtullahun për punën dhe kontributin ndër vite.
“Sidomos tash i përgëzoj që kanë fituar këtë investim, këtë aparaturë që do të bëjë të mundur të bëj të lumtur shumë çifte nga anë e mbanë vendi ynë, të cilat do të vijnë këtu e të cilët kanë vuajtur shumë, sepse kanë dashur që të bëhen prindër, të bëhen baba e nënë, por nuk kanë mundur, tash e kanë adresën, e cila e garanton shërbimin publik edhe cilësor”, përmbylli kryeministri.
Në këtë inaugurim bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia, të pranishëm ishin edhe Drejtori i Klinikës Gjinekologjike, Zef Ndrejaj, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, deputetët e Kuvendit, Haxhi Avdyli dhe Fatmire Kollçaku, Drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari dhe Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi.
Prononcimi i Kryeministrit Kurti në Klinikën e Gjinekologjisë:
Jemi këtu në Klinikën e Gjinekologjisë, në Repartin për Frytnim të Asistuar Mjekësor së bashku me Drejtorin e Klinikës Gjinekologjike, Zef Ndrejaj, pastaj me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me zëvendësministren Dafina Gexha me deputetët e Kuvendit, doktor Haxhi Avdylin dhe doktoreshën Fatmire Kollçaku, e gjithashtu edhe me dy drejtorët e tjerë të QKUK-së e të SHSKUK-së, Osman Hajdari dhe Elvir Aziz, në një rast të jashtëzakonshëm, e që është inaugurimi i këtij reparti sa i përket mundësisë për frytnim të asistuar që do t’i bëjë të lumtura shumë çifte në Kosovë.
Me ç’rast unë pata mundësinë që të shoh aparaturën moderne e cila është investimi i fundit bërë këtu, gjithsej është rreth dy milionë euro. Gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë, gjysma është prej SHSKUK-së. Me këtë rast vetëm aparatura e laboratorit të embriologjisë është mbi një milion euro, dhe përveç kësaj, ishin edhe dy ultrazë të ri, si dhe një pajisje e cila ishte version i kombinuar i histeroskopisë e laparaskopisë.
Me këtë investim që kemi bërë në këtë repart do të jetë i mundur që dy herët e para çiftet që vijnë këtu ta kenë falas këtë shërbim cilësor, modern por gjithashtu edhe pas dy herëve të para do të paguajnë 670 euro, ndërkaq ne e dimë që në sektorin privat kjo është rreth 3 mijë euro.
Me ditën e sotme, 24 dhjetor 2024, gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha çifteve, të cilët dëshirojnë që të bëhen prindër se tash e kanë një adresë edhe publike, edhe moderne, edhe cilësore pas këtij investimi të përbashkët.
Unë e përgëzoj stafin në përgjithësi, në veçanti Shefin e Repartit, Leandrit Bejtullahu për punën e shkëlqyeshme që kanë bërë dhe kontributin ndër vite, por sidomos tash i përgëzoj që kanë fituar këtë investim, këtë aparaturë që do të bëjë të mundur të bëj të lumtur shumë çifte nga anë e mbanë vendi ynë, të cilat do të vijnë këtu e të cilët kanë vuajtur shumë, sepse kanë dashur që të bëhen prindër, të bëhen baba e nënë, por nuk kanë mundur, tash e kanë adresën, e cila e garanton shërbimin publik edhe cilësor.
Faleminderit shumë, drejtor Zef Ndrejaj. Faleminderit shumë, Shef i Repartit, Leandrit Bejtullahu. Faleminderit, ministër Arben Vitia dhe dy drejtorët e tjerë të QKUK-së e ShSKUK-së, Osman Hajdari e Elvir Azizi.
Me juve që nuk shihemi, urime festat e fundvitit e gëzuar Viti i Ri 2025!