Opinione

Përse Quinti kërkon lejimin e mbajtjes së Referendumit të Serbisë në Kosovë, sipas praktikës së deritashme?

By GAZETA SCANNER 1

January 15, 2022

Nga Adriatik Kelmendi

Qëndrimi i Qeverisë Kurti dhe i partive opozitare është i drejtë.Me lejimin e deritashëm të organizimeve të Serbisë në Kosovë, Kosova nuk ka përfituar thuajse asgjë si shkëmbim. Përkundrazi, ka pasur trimërim të Serbisë.Është koha që edhe Kosova t’ia kujtojë vetvetes se është e pavarur. Duke e harruar shpesh ne vetë këtë fakt, pse të mos e harrojë edhe SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia?!

Në anën tjetër, po ashtu, është i drejtë propozimi i Qeverisë për t’i lejuar serbët kosovarë të votojnë me postë ose në Qendrën Koordinuese. Kështu nuk iu mohohet ushtrimi i të drejtës dhe vullnetit të tyre.Thënë këto, Kosova njësoj duhet ta dijë se partnerë më të rëndësishëm se SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia as nuk ka as nuk mund të ketë.Nëse ndonjëri nga këto shtete e kërkon ndihmën e Kosovës dhe shqiptarëve për të mirën e shteteve të tyre, duhet përgjigjur ditën e natën pa u menduar dy herë.E kur kërkojnë diçka për të mirën e Serbisë – ato thjesht po bëjnë diplomaci. Nëse ecën – mirë, nëse jo – vazhdohet tutje!

Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, kur SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia ishin pajtuar se kjo është gjëja e duhur për t’u bërë.Për SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë, Francën dhe Italinë Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara. Ambasadat e këtyre shteteve janë në Prishtinë për Kosovën dhe në Beograd për Serbinë.Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi i saj e ka vlerësuar si legal dhe legjitim.Këto shtete të Quintit e kanë përshëndetur edhe vendimin e GJND-së.

Përse atëherë Quinti kërkon lejimin e mbajtjes së Referendumit të Serbisë në Kosovë, sipas praktikës së deritashme? Thjesht, se këtë e ka kërkuar Serbia dhe shtetet e Quintit duan t’i respektojnë të dyja shtetet me të cilat kanë marrëdhënie diplomatike. Nëse situata të ngjashme janë lejuar të shihen në Kosovë deri tash, Quinti nuk e sheh shumë problematike që e njëjta të përsëritet.