Lajme

Përplasja mes NATO-s e Rusisë për Aeroportin e Prishtinës

By GAZETA SCANNER 1

June 09, 2024

“Tradhti ruse” e quan gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, dislokimin e befasishëm të rreth 200 trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës, më 12 qershor të vitit 1999. Rusia donte të turpëronte NATO-n, por edhe të shpërfaqte ambiciet e saj imperialiste, thotë Clark, 25 vjet pas incidentit.

Në kohën kur ndodhi, ai ishte komandant suprem i NATO-s dhe po vëzhgonte vendosjen e një misioni paqeruajtës të aleancës ushtarake në Kosovë.

“Ky është, në thelb, një problem politik dhe është duke u trajtuar në mënyrë politike. Nuk është duke ndikuar në dislokimin e forcave tona apo në aktivitetet tona, kështu që le ta zgjidhim në nivel politik”, tha atëkohë Clark.

NATO-ja do të vendosej në Kosovë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës – më 9 qershor, 1999 – me të cilën mori fund lufta në Kosovë dhe forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën.

Misioni paqeruajtës KFOR u miratua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Rezoluta 1244 e tij i autorizoi shtetet anëtare të OKB-së për të mbajtur një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.

Rusia – e cila luajti rol në bindjen e presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq, për t’i dhënë fund luftës – synonte një sektor të vetin në Kosovë, të pavarur nga NATO-ja, kujton gjenerali Clark.

Dhe, natën mes 11 dhe 12 qershorit, 1999, një kontingjent prej rreth 200 ushtarësh rusë u shkëput nga misioni paqeruajtës SFOR në Bosnje dhe Hercegovinë, e zëvendësoi shkronjën “S” me “K” për ta bërë KFOR, dhe u nis drejt Kosovës.

Në anën e kundërt, nga Maqedonia e sotme e Veriut, trupat britanike të NATO-s po bëheshin gati, po ashtu, për të hyrë në Kosovë.

Garën e fituan rusët. Ata arritën të parët në Prishtinë dhe okupuan aeroportin në Sllatinë mëngjesin e 12 qershorit. Pak orë më vonë arritën edhe britanikët, e pastaj edhe francezët, por rusët nuk i lejuan të hynin në aeroport, duke i kërcënuar me përdorimin e armëve.

“Misioni ynë ishte të vendosim një depo karburantesh këtu në aeroportin e Prishtinës, por kur mbërritëm, pamë rusë dhe serbë, dhe rusët na thanë se është e pamundur të futemi në aeroport”, tha asokohe një komandant i një kontingjenti francez të KFOR-it për agjencinë e lajmeve AP.

Gjenerali Clark, duke folur për emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë, kujton se hyrja e tillë e trupave ruse në Kosovë e zuri NATO-n në befasi – ajo nuk ishte pjesë e planit të dakorduar paqeruajtës.

“Ishte një lloj i tradhtisë ruse. Kjo është e gjitha që mund të thuhet. Por, kush e di… ndoshta rusët i kishin thënë Millosheviqit që të mos shqetësohej dhe ta pranonte marrëveshjen për paqe, sepse ata do të merreshin [me Kosovën]. Por, nuk ia dolën”, thotë Clark./REL