Lajme

Përparim Rama ia jep “tinëz” mikut të tij 35 mijë euro për Festivalin e Gastronomisë

By GAZETA SCANNER 1

July 30, 2024

“Prishtina Gastronomy Festival”, nga 2019-ta për çdo vit organizohet në Prishtinë.

I njëjti ndryshe thirret si festivali i familjes, shoqërisë, ushqimeve dhe muzikës së mirë.

Por, kush qëndron mbrapa organizimit të kësaj ngjarje?

Vitin e kaluar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një marrëveshje bashkëpunimi, ia ndau 35 mijë euro një operatori ekonomik me qëllim të përkrahjes së festivalit të Gastronomisë.

Organizmin e këtij festivali, që në krye ka Astrit Panxhën, e mori përsipër ta bëjë “Apple Art sh.p.k” kompani kjo e përfaqësuar po ashtu nga Panxha, e i cili është mik i Ramës.

Sidoqoftë, për këtë shumë të hollash që komuna e Prishtinës i ndau, nuk u bë asnjë thirrje publike e nuk u inicua asnjë procedurë e prokurimit.

Kiks Kosova ka siguruar marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar më 21 korrik të vitit 2023, mes Ramës dhe “Apple Art sh.pk”.

Në këtë shkresë detyrat për të dy palët ishin të ndara.

Aty thuhej se komuna do ta siguronte hapësirën dhe lejen e nevojshme për organizimin e festivalit, e që në këtë rast vendi ku do të mbahej kjo ngjarje ishte sheshi “Adem Jashari”, që gjendet krejt afar objektit të komunës.

Komuna ndër të tjerash do duhej ta siguronte hapësirën si dhe t’i ndante 35 mijë euro për “Apple Art”, derisa kjo e fundit do të merrej me përgatitjet e pagesën e këngëtarëve.

Mirëpo, deri më tani nuk dihet se sa përfitoi komuna e sa operatori nga kjo ngjarje që u zhvillua në tokë publike.

Për hapësirën dhe financimin as që u diskutua në Kuvendin Komunal.

Prandaj, për këtë marrëveshje nuk ishin në dijeni as anëtarët e opozitës.

Por, deri kur zgjati kjo marrëveshje?

Kjo ende nuk dihet.

Pavarësisht që Neni 3 i referohet kohëzgjatjes së marrëveshjes, aty nuk ceket asnjë periudhë kohore, përveç asaj që thuhet se “palët nënshkruese janë pajtuar që kjo marrëveshje vlen vetëm për realizimin e Prishtina Gastronomy”.

Kiksi ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës të dijë nëse kjo marrëveshje ka vazhduar edhe sivjet apo nëse është ndarë një shumë tjetër nga buxheti i komunës për përkrahjen e festivalit.

Mirëpo, nga qeverisja lokale nuk kthyen përgjigje e nuk dhanë asnjë informacion lidhur me këtë çështje.

Për këtë, Kiksi kontaktoi përmes telefonit edhe me Astrit Panxhën, i cili është organizatori i “Prishtina Gastronomy Festival”, njëherësh përfaqësues i “Apple Art”, por i njëjti e ndërpreu telefonatën.

Se kryetari Rama ia ndau 35 mijë euro operatorit ekonomik për organizimin e festivalit, nga opozita e Prishtinës thonë se për këtë nuk kanë qenë në dijeni.

Sipas Leutrim Retkocerit, i cili vjen nga radhët e PDK-së, përveç dëmtimit të buxhetit të komunës, edhe pasuria publike po shfrytëzohet për interesa private të kryetarit Rama.

Nga ana tjetër, pagesa prej 10 eurove për një biletë për të marrë pjesë në festival, Retkoceri e quan të padrejtë.

Nga organizata “Avonet”, të cilët monitorojnë funksionimin e komunave, kanë thënë se marrëveshja për bashkëpunim e thirrur për përkrahje të festivalit të Gastronomisë në Prishtinë është e ndërtuar mbi asnjë bazë ligjore.

Për këtë thonë se prokuroria duhet të nisë hetimet.

Nga kjo organizatë kanë shpjeguar mënyrën se si do duhej të ndërtohej një marrëveshje bashkëpunimi mes komunës dhe një kompanie kontraktuese.

Sivjet “Prishtina Gastronomy Festival” do të mbahet nga 29 korriku e deri më 9 gusht.

Bileta për pjesëmarrje është 10 euro. /Klankosova.tv