Lajme

Përgjegjësi për korrje-shirje në Dukagjin: Situata më e mirë sivjet shkaku i motit dhe bujqëve, s’di çfarë merita ka ministri Peci

By GAZETA SCANNER 1

July 10, 2024

Naim Bytyqi përgjegjës për korrje-shirje në rajonin e Dukagjinit në një intervistë për FRONTAL në T7 ka folur për deklaratën e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, se Kosova e ka siguruar bukën për sivjet, shkruan Gazeta Express.

Bytyqi thotë se këtë vit situata është më e mirë si në sasi poashtu edhe në cilësinë e grurit dhe ka shtuar se në aspekt matematikor ministri Peci s’ka gënjyer.

“Fatmirësisht këtë vit është më mirë situata. Cilësia është shumë më e mirë. Këtë vit po pranojmë grurë cilësor.U bë temë kjo deklarata e ministrit, S’ka gënjyer në aspekt matematikor. Pak ka rëndësi çka ka thënë ministri në kuptim politik. Por me rëndësi është duke ardhur gruri cilësor”, ka thënë ai për FRONTAL.

Megjithatë ai thotë se s’mund të gjej se cilat janë meritat e ministrit e Bujqësisë, Faton Peci, për këtë situatë më të mirë me korrje-shirje, duke thënë se kushtet atmosferike sivjet kanë qenë më të përshtatshme dhe se fermerët janë vetdijësuar.

“Faktori kryesor janë kushtet klimatike diku 70 % dhe 30 vetëdijesimi i fermerëve”, ka thënë ai.

Ai ka kujtuar dështimin e vitit të kaluar, duke thënë se kur ndodh që punët nuk shkojnë siç duhet askush s’del që të marrë përgjegjësi, derisa thotë se sivjet të gjithë po vrapojnë për të marrë meritat.

“Ne gjithmonë kur ka të mirë, i marrim meritat, ndërsa kur diçka shkon keq, ikim dhe nuk japim llogari. Në vitin 2023 kur gruri dështoi, askush s’doli të marr përgjegjësinë dhe ku ishte ministri a e Bujqësisë për të ndihmuar fermerët. Në 2023 të gjithë fermerët janë dëmtuar dhe s’i kanë nxjerr ato mjete që i kanë investu, s’kanë mund ta nxjerrin as gjysmën e tyre”, është shprehur Bytyqi.