Lajmest-slider

Përfundon pa marrëveshje takimi Kurti-Mustafa

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, kanë biseduar për mundësinë e arritjes se marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të këtyre dy partive politike.

Pas takimit, Kurti ka thënë se me Mustafën nuk janë marrë veshë për marrëveshje, por sipas tij ka avancim të diskutimeve.

Kurti ka thënë se kurdo që ta arrihet marrëveshja do ta shpalosin gjerë e gjatë.

“Nuk jemi marrë veshë, mirëpo avancim në diskutimet që kemi bërë ka. Atëherë kur ta kemi marrëveshjen e plotë do të mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë. Përfundon takimi i sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejt me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës edhe orës që të vazhdojmë më tutje drejt marrëveshjes”, ka thënë Kurti.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se me Kurtin ka pasur një bisedë përmbajtjesore.

Mustafa ka thënë se pa biseda të tilla është vështirë të arrihet marrëveshja për bashkëpunim.

“Ne patëm një bisedë mjaftë përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është vështirë që të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm, i qëndrueshëm katërvjeçar. Natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve të cilat janë harmonizuar deri më tani ndërmjet grupeve tona punuese”.

“Kemi edhe çështje tjera që kemi biseduar sot me z. Kurtin për të cilat do të punojmë që të arrijmë një përafrim ose qëndrime të përbashkëta, të cilat pastaj mund t’i ndihmojnë bërjes se koalicionit. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion. Ka marrëveshje që të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi me qëndrime”, ka thënë Mustafa.