Lajme

Përfundon numërimi i votave në Mal të Zi, vendi do të shkojë në raundin e dytë të zgjedhjeve për president

By GAZETA SCANNER 1

March 19, 2023

Ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Milo Gjukanoviq ka fituar më së shumti vota, por duhet që të përballet me kandidatin Jakov Milatoviq në raundin e dytë pasi nuk ka arritur të marrë më shumë se gjysmën e votave.

Bazuar në mbi 99 për qind të kampionit të përpunuar, Milo Gjukanoviq ka fituar 35,3 për qind të votave, Jakov Milatoviq 29,2 për qind, Andrija Mandiq 19,3 për qind, Aleksa Beçiq 10,9 për qind, Draginja Vuksanoviq Stankoviq 3,2 për qind.

Goran Danilović fitoi 1.4 për qind, ndërsa Jovan Radulović 0.8 për qind.

Në zgjedhjet më të rëndësishme në vitet e fundit në Mal të Zi, sipas rezultateteve të para, do të duhet edhe një raund i dytë pasi që askush nuk ka arritur që të fitojë mbi 50% të votave. Vendi po kalon nëpër krizë politike pasi që Gjukanoviq shpërndau edhe Kuvendin disa ditë para zgjedhjeve për president ndërsa kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviq, është shkarkuar disa muaj më parë por asnjë parti nuk ka arritur të krijonte shumicën e nevojshme për të emëruar kryeministër të ri.