Ekonomist-slider

Përfundimisht, pagat e dhjetorit nuk do të dalin me rritje

Ministria e Financave (MF) ka konfirmuar se pagat e muajit dhjetor për zyrtarët publikë do të jepen sipas Ligjit të vjetër për paga.

Kjo ministri ka bërë të ditur se për shkak të vendimit të Kushtetueses për pezullimin e përkohshëm të ligjit, pagat ekzekutohen sipas ligjeve të vjetra.

“Duke pasur parasysh që Ligji i pagave është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, pagat e muajit dhjetor do të ekzekutohen duke u bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe në Ligjin e buxhetit për vitin fiskal 2019”, ka thënë Muharrem Shahini nga Zyra për Komunikim me Publikun në MF për Ish-zëdhënësi.

Ndërkohë, vendimin për masën e përkohshme për Ligjin e pagave, Kushtetuesja e publikoi javën e kaluar, megjithatë të plotë vendimin nuk e ka publikuar ende.

Vendimin nuk e ka pranuar ende as Avokati i Popullit, por gjatë prezantimit të rezultateve të këtij institucioni për vitin 2019, ka thënë se presin që kjo të ndodhë në ditët në vazhdim.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se ndër problemet kryesore në vend edhe gjatë këtij viti, ka qenë moszbatimi i ligjeve.

Tutje, Jashari ka theksuar se nuk ka përmirësim të llogaridhënies nga institucionet publike.

Derisa sfidë, sipas tij, mbetet situata e fëmijëve në rrugë, ndërsa vrasjen e të miturit në Fushë Kosovë, Jashari e quajti dështim të institucioneve.

Ndërkohë, vetëm gjatë këtij viti Avokati i Popullit ka pranuar më shumë se 1.800 ankesa, derisa ka hapur 51 raste ex-officio.