Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar për situatën e javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës, ku deptetët e Lëvizjes Vetëvendosje tentuan që të pengojnë deputetët e Listës Serbe që të nënshkruhen, në mënyrë që të marrin pagën e deputetit dhe të mos e humbin mandatin.
Gjatë një interviste në emisionin “Context” të ATV-së, Hovenier shprehu shqetësimin e tij për zhvillimet dhe theksoi se ajo situatë ishte “për të ardhur keq”, pasi nuk i shërbeu asnjë pale.
Ai e vuri theksin në faktin se një seancë parlamentare duhet të jetë një mundësi për përfaqësuesit e zgjedhur të realizojnë funksionet e tyre “për të çuar përpara interesat e popullit të tyre.”
“Më lejoni që të flas shumë shkurt për situatën në Kuvend javën e shkuar. Mendoj se ajo ishte për të ardhur keq. Në fund, askush nuk u duk mirë. Është për të ardhur keq nëse një seancë e Kuvendit pezullohet për atë që duket të jetë një përpjekje për të mos lejuar përfaqësuesit e zgjedhur të kryejnë funksionet e tyre. Nga ana tjetër, është gjithashtu shumë për të ardhur keq që përfaqësuesit e zgjedhur që janë atje për të promovuar interesat dhe për të çuar përpara interesat e popullit të tyre, zgjedhin të mos i ushtrojnë ato të drejta. Ky nuk është gjithashtu premtimi i demokracisë që do të shpresonim të shihnim, sigurisht në kohën e Ahtisarit kur po negocionim dispozitat për vendet e caktuara për përfaqësuesit e pakicave në parlament. Shpresonim, prisnim që ata të përdornin kapacitetin e rolit të tyre si deputetë të Kuvendit për të trajtuar në mënyrë afirmative shqetësimet e komunitetit të tyre dhe për t’i avancuar ato. Kështu që e gjithë kjo gjë ishte për të ardhur keq.” – ttha Hovenier.