Op/Ed

Për një shoqëri pa dhunë – nevojitet edhe një gjuhë e re

9

Nëse godet një grua s’je burrë ➡️ Kanuni, adeti.
Nëse godet një njeri (burrë apo grua) ➡️ vepër penale e dënueshme me ligjet në fuqi.

Pa dashur të hyj në analizë feministe se sa e drejtë është të thuhet “burri që është burrë nuk çon dorë në grua” dhe të ngjashme, duke e ditur që shumica e atyre që e thojnë, edhe kanë qëllime të mira, dua të them se përzgjedhja e fjalëve mund të mos jetë në përputhje me qëllimin pse e thonë ashtu siç e thonë.
Ja pse: në versionin më të butë, fjalia e tillë, legjitimon së paku moralisht goditjen/rrahjen burrë-me-burrë, respektivisht i forti-me të fortin.
Ndërsa botëkuptimi se dhuna ndaj gruas si “gjinia më e dobët”, është turp për sojin e burrit-burrë, është esencialisht botëkuptim patriarkal, dhunënxitës. Kështu është menduar vetëm për rrahjen në publik, ajo në mjedise private nuk iu ka nënshtruar madje as kësaj parulle. Megjithatë…

Kur me kanun e adete është thënë se burri i vërtetë nuk duhet të ngre dorë në gruan, nuk është menduar e aq më pak synuar në nderimin, respektimin e subjektivitetit të saj.
Është menduar se dora e burrit është gjë e çmuar, shumë më me vlerë sesa për të goditur gruan, si qenie e dobët, apo e lehtë për ta mposhtur, deri tek botëkuptimi që s’duhet ndotur duart me një grua.

Thesi historik nga ku ka dalë ky botëkuptim, është i njëjti ku thuhet se burri s’guxon të jetë i ligë, të qaj, apo t’a rrahë dikush dhe që burrit gjithçka i ka hije. Por ama edhe nuk i ka hije të jetë i ndjeshëm, empatik, joagresiv, e të tjera humanizma që humbin betejat me kornizimet stereotipike.

Ndjehem keq, kur kohë pas kohe, diskursi publik në Kosovë furnizohet nga po ky thes, për të qortuar raste dhe dukuri dhune që ndodhin. Do të doja që njëherë e mirë të mbyllim atë thes të botëkuptimeve që ka gjeneruar vetëm dhunë, ka thelluar vetëm pabarazi, ka shpërndarë vetëm paragjykime.

Shoqëria jonë sot, për të ndryshuar kulturë duhet ndryshuar edhe gjuhë, të ndryshojë edhe të folme. Sepse e folmja reflekton mendime, bindje.

Gjuha që duhet të përdorim dhe që përkon me kohën, vendin dhe ligjet që i jetojmë është: dënojmë
dhunën. Dhuna nuk është çështje private. Dhuna është demonstrim force. Të tregojmë zero tolerancë ndaj dhunës. Të zgjerojmë dhe definicionet tona për dhunën.

Për një shoqëri pa dhunë – nevojitet edhe një gjuhë e re, e drejtë, paqesore. Provojeni, do të bindeni se si produkt i gjuhës që përdorim do të ulet dhuna, do të ngritet kultura e jodhunës.