Ballina

Për katër muaj, Presidenca shpenzon 84 mijë euro

By GAZETA SCANNER 1

January 09, 2023

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani së bashku me kabinetin e saj që nga muaji maj deri në gusht kanë shpenzuar 84 mijë e 895 euro, për bileta të avionit, akomodim në hotele, dreka dhe darka zyrtare si dhe karburante. Nga të dhënat e dërguara nga Zyra e Presidencës, shpenzimet më të theksuara kanë qenë për të blerë bileta të avionit, që kanë kapur shifrën e 53 mijë e 610 eurove, shkruan Kanal10.

Për katër muaj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, së bashku me kabinetin e saj, kanë shpenzuar 84 mijë e 895 euro, për bileta të avionit, akomodim në hotele, dreka dhe darka zyrtare, si dhe karburante.

Shpenzimet më të theksuara të së parës së shtetit kanë qenë për bileta të avionit, që në total kanë kapur shifrën prej 53 mijë e 610 eurove.

Për në një vizitë zyrtare në ShBA, janë blerë bileta për pesë persona në klasë ekonomike, në vlerë prej 12 mijë e 743 eurove.

Kurse, për një vizitë dyditore në Singapor janë blerë bileta në vlerë të 8 mijë e 804 euro, kurse për një tjetër në Panama, biletat kanë kushtuar afër 7 mijë euro.

Presidentja Osmani, vizitë ka zhvilluar edhe në Kosta Rika, Washington, Maqedoni, Greqi, në Bruksel, Lituani, Mal të Zi, Tajlandë e në Slloveni, e që shifra e biletave kanë vijuar nga 3 mijë deri në 8 mijë euro, të gjitha në klasë ekonomike.

Gjatë këtyre vizitave, shpenzimet kanë qenë të dukshme edhe për t’u akomoduar në hotele, ku në total kanë kapur shifrën e 13 mijë e 348 euro.

Shuma më e madhe e shpenzuar ka qenë gjatë vizitës në ShBA, ku për t’u akomoduar janë harxhuar 6 mijë e 769 euro.

Gjatë vizitës në Kosta Rika dhe në Lituani janë evidentuar shpenzimet më të mëdha për t’u akomoduar në hotele, që së bashku kanë kapur shifrën prej 3 mijë eurove.

Kurse, në vizitat e tjera për t’u akomoduar ne hotele shpenzimet kanë qenë më të ulëta.

Për dreka dhe darka zyrtare janë shpenzuar 2 mijë e 727 euro, prej tyre 1 mijë e 720 vetëm në drekën e shtruar gjatë vizitës së presidentit të Malit të Zi.

Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave të dërguara nga Zyra e Presidencës, nga kabineti i saj për karburante janë shpenzuar 15 mijë e 210 euro.