Op/Ed

Pengesat e çuditshme fetare në martesat mes shqiptarëve

Shkruan: Agron Hoti

Kur shqiptari/ja martohet me një të huaj askush s’pyet për besimin (fenë) që ka i huaji apo e huaja. Ndërsa, kur një shqiptar/e i/e një besimi dëshiron të martohet me shqiptarin/en e besimit tjetër menjëherë bëhet kiameti. Me letra shitemi se kemi kombin para fesë, por në këtë pikë veprojmë tërësisht ndryshe. Më e pamundur del të jetë martesa mes dy shqiptarëve të besimeve të ndryshme sesa martesa mes shqiptarëve me pothuaj cilindo popull në botë.

Ky edhe në fakt kishte qenë qëllimi i pushtuesve që nga romakët, osmanët e deri te serbo-grekët, sepse duke na u kontrolluar shpirtërorja nga jashtë, pra nga Qabja dhe Vatikani, një pjesë e shqiptarëve të besimit katolik sot më vëllezër e motra i sheh italianët se vetë shqiptarët e besimit musliman dhe pastaj një pjesë e shqiptarëve të besimit musliman sot më vëllezër e motra i sheh arabët se vetë shqiptarët e besimit katolik. Pra, shqiptari e ka vëlla italianin, arabin, turkun e grekun, kurse nuk e ka vëlla shqiptarin e besimit tjetër. Deri këtu shkon absurdi.

Një popull i përçarë ka produktivitet të ulët, sepse janë pengesat sociale ato që ulin produktivitetin e përgjithshëm. E kur ulet produktiviteti bie edhe elani kombëtar. E kur nuk ke elan kombëtar, të gjithë luajnë me ty si maca me miun.

Nuk janë të rastësishme kafshimet e tmerrshme fetare edhe sot nga Serbia, Greqia e Turqia, të cilat duke tentuar na i kontrollojnë kishat e xhamiat, përpiqen të na e kontrollojnë dhe pse jo orientojnë shpirtëroren, prandaj edhe investojnë pa fund në këtë drejtim. Po të na donin të mirën Serbia, Greqia e Turqia, do të investonin në arsim e zhvillim ekonomik për të na e rritur mirëqenien sociale, sepse një popull pa mirëqenie sociale, s’ka kohë të merret as me fe, as me shkollë e me asgjë.

E shqiptar zeza i humbur në këtë katrahurë kafshimesh fetare nga jashtë, kur i martohet djali apo vajza me një të huaj thotë “hajt more se kysmet paska qenë”, ndërsa kur vjen puna që t’i martohet djali apo vajza me një shqiptarë/e të besimit tjetër tërbohet thua ti se po i martohet me një serb/e. Shqiptari bën të krijojë familje me një të huaj pavarësisht besimit, e nuk bën të krijojë familje me shqiptar/e të besimit tjetër. Deri këtu shkon marrëzia e jonë.

Pikërisht kjo temë duhet futur nëpër lëndët e etikës dhe edukatës qytetare nëpër shkollat dhe universitetet tona. Askush s’flet për kësi tema përbashkuese. S’ka as institute, OJQ, e as media që merren me këtë problematikë kombëtare.

Prandaj, t’u thuhet nxënësve tanë se:

  • njerëzimi dhe shqiptarët kanë jetuar mbi këtë tokë edhe kur nuk ka ekzistuar fare krishterizmi dhe muslimanizmi dhe se askush s’e ka ndier mungesën e tyre;
  • besimet janë të ndryshme e asesi që ky apo ai besim është më i mirë se tjetri;
  • shqiptarët bazë përbashkuese kanë gjuhën dhe traditën, kurse përçarëse kanë fenë nëse nuk tregojmë tolerancë dhe pranueshmëri ndaj njëri tjetrit;
  • në Kosovë që nga viti 1999 janë derdhur miliona euro të pista nga qarqe serbe, arabe e turke për ndërtimin e xhamive dhe kishave dhe lartësimin e njërës fe në kurriz të tjetrës me qëllim përçarjen;
  • paratë e pista dhe dashakeqe nga jashtë janë duke e bërë Prishtinën arenë objektesh kulti, ku veç edhe sinagoga, teqeja, buda dhe lopa mungojnë për ta kompletuar mozaikun e të qenurit gazi i botës;
  • edhe pse mbaruam xhami më së shumti në botë për kokë banori ende s’na njohën pavarësinë të gjitha vendet muslimane, edhe pse ndërtuam kisha bile edhe duke prishur edhe shkolla s’na njohën të gjitha vendet katolike;
  • bota kurrë s’ka njohur vëllazërira fetare, por vetëm vëllazërira interesash;
  • në Kosovë që nga viti 1999 plot shqiptarë të besimit musliman dhe katolik kanë marrë miliona euro bile dhe sot marrin paga të majme nga jashtë për të lartësuar njërën fe në kurriz të tjetrës me qëllim përçarjen tonë;
  • t’u thuhen edhe shumë e shumë gjëra tjera përbashkuese…