Lajme

Pasi kreu vrasjen me armë zyrtare, polici i dyshuar u vetëdorëzua në Stacion, Inspektorati i publikon detajet e rastit

By GAZETA SCANNER 1

August 17, 2024

Polici i cili dyshohet se ka vrarë një person në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt, pasi kishte kryer vrasjen me armën zyrtare ishte vetëdorëzuar në Stacionin e Policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një postimi në Facebook ka publikuar detaje lidhur me rastin, duke shtuar se incidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 19:30.

Postimi i plotë i IPK:

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një rast të gjuajtjes më armë zjarri në Ferizaj e ku dyshohej se ishte përfshirë edhe një zyrtar policor.

Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me shumë njësi të tjera policore si dhe prokurorin kujdestar.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 19:30 në fshatin Bibaj të Ferizajt në një restaurant ku ishte duke u mbajtur një ceremoni dasme.

Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë .

I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.

I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij incidenti të rëndë.