Gjykata Ndërkombëtare Penale të enjten njoftoi se ka lëshuar urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e Mbrojtjes të Izraelit dhe liderin e Hamasit. Cilat shtete e kanë obligim arrestimin e këtyre personave, nëse hyjnë në territoret e tyre?
Statuti i Romës është akti themeltar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Nënshkruese të këtij statute janë 124 shtete, raporton gazeta “Nacionale”.
Prej tyre, 33 shtete janë afrikane, 19 nga Azia dhe Paqësori, 19 nga Evropa Lindore, 25 nga Evropa Perëndimore dhe vende të tjera, si dhe 28 nga Amerika Latine dhe Karaibet.
Pjesë e saj nuk janë Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, por janë dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Britania e Madhe dhe Franca. Pjesë e GjNP-së është edhe Shqipëria. Janë edhe vendet e rajonit – Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Për ta shikuar listën e plotë të 124 shteteve anëtare të GjNP-së, klikoni KËTU.
Lëshimi i urdhërarresteve vjen pasi prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, kishte njoftuar më 20 maj se do të kërkonte urdhërarreste për krime të dyshuara, të lidhura me sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi dhe me kundërpërgjigjen ushtarake izraelite në Gaza.
Gjykata Ndërkombëtare Penale tha se pranimi i juridiksionit të gjykatës nga Izraeli nuk kërkohej.
Izraeli e ka kundërshtuar juridiksionin e gjykatës me seli në Hagë dhe mohon se ka kryer krime lufte në Gaza. Izraeli ka thënë se e ka vrarë al-Masrin, gjithashtu i njohur si Mohammed Deif, përmes një sulmi ajror, por Hamasi as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar këtë.
Minsitrat izraelitë e dënuam menjëherë vendimin e gjykatës ndërkombëtare për lëshimin e urdhërarresteve kundër Netanyahut e Gallantit.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, tha se kjo gjykatë “edhe një herë tregoi se është antisemite në tërësi”.
Ministrja e Transportit, Miri Regev, i quajti urdhërarrestet “absurditet ligjor”. “Ky është antisemitizmi modern nën maskën e drejtësisë” – shtoi ajo.
“Izraeli nuk do të kërkojë falje për mbrojtjen e qytetarëve të tij. Ky nuk është krim, kjo është detyra jonë kombëtare dhe morale” – shtoi ministrja izraelite./Nacionale/