Lajme

Pas Turqisë, Kroacisë e Maqedonisë, Handke bojkotohet edhe nga Afganistani

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se ka marrë konfirmim nga Afganistani që nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel.

Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ky bojkot vjen pasi Peter Handke mbështeti politikat gjenocidale të Millosheviqit.

“Pas Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, sonte kam marrë një telefonatë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Afganistanit Idrees Zeman i cili më njoftoi se ai ka udhëzuar Ambasadorin e tyre në Suedi që të bojkotojnë ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel të Letërsisë për Peter Handke i cili mbështeti politikat gjenocidale të Millosheviqit. Mirënjohës për miqtë tanë në Afganistan”, ka shkruar Pacolli.

Në ceremoninë e dhënies së Nobelit ndaj Handkes, deri më tani janë deklaruar se nuk do marrin pjesë Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Kroacia.

Handke si një admirues i madh i Millosheviqit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë, kishte shkruar “Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë”. Autori austriak kishte theksuar se asnjëherë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.