Janë bërë gati se tre orë që kur takimi trepalësh ka nisur në ora 10:00 të mëngjesit në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe fascilitorëve të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Josep Borell.
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell, pritet që pas takimit të dalë në konferencë për media për të shpjeguar ecurinë e bisedimeve mes palëve.
Ndonëse nuk ka ende asnjë informacion zyrtar rreth bisedimeve, media opozitare serbe “Nova.rs” ka raportuar se simbas burimeve diplomatike të tyre Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka refuzuar propozimin e BE’së për zgjidhjen e çështjeve të targave.
Më tej, sipas tyre, as Albin Kurti “nuk është treguar më konstruktiv”, për çka, duke cituar burimet e tyre, kjo gazetë thotë se Kurti ka insistuar në konvertimin e tërësishëm të targave në RKS për ata që i mbajnë ato të paligjshmet “KM, etj”.
Më 22 nëntor kalohet nga masa e shqiptimit të qortimeve në ato të gjobave për vozitësit e këtyre veturave, ka lajmëruar dje Policia e Kosovës.