KoronavirusiLajme

Pas më shumë se dy muaj, Shqipëria regjistron ditën me më shumë raste

Shqipëria ka regjistruar të enjten ditën me numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 në dy muaj e gjysmë.

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë identifikuar 47 raste të reja me COVID-19 në 3025 testime, ndërsa nuk ka pasur asnjë humbje jete për shkak të virusit.

Kjo është shifra më e lartë e rasteve ditore që nga 14 maji, kur janë regjistruar për herë të fundit 49 të infektuar më COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se infektimet janë pikasur në këto bashki: 19 raste në Tiranë, 6 në Elbasan, 5 në Kuçovë, 4 në Pogradec, 3 në Lezhë, 2 në Korçë, nga 1 rast në Shkodër, Durrës, Kukës, Kavajë, Lushnje, Sarandë, Delvinë, Poliçan.

Aktualisht janë 355 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin, ndërsa në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 18 pacientë.

Janë shëruar 13 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130.187 që nga fillimi i epidemisë.