Lajme

Partia e Lirisë e së djathtës ekstreme i fiton zgjedhjet – Mike e Serbisë, kundër Kosovës

By GAZETA SCANNER 1

September 30, 2024

Votuesit austriakë ia dhuruan fitoren e parë të dielën Partisë së Lirisë të Austrisë nga e djathta ekstreme, sipas rezultateve preliminare, duke e ilustruar shtimin e përkrahjes për partitë e së djathtës ekstreme në Evropë, e nxitur nga shqetësimi për nivelin e imigrimit.

Partia e Lirisë e Austrisë (FPO), që ka qëndrime euroskeptike dhe më miqësore ndaj Rusisë, kishte epërsi të ngushtë në sondazhe për disa muaj para Partisë Popullore Austriake në pushtet të kancelarit Karl Nehammer në një fushatë të mbizotëruar nga imigrimi dhe shqetësimet për ekonominë, raporton agjencia “Reuters”.

E udhëhequr nga 55-vjeçari Helbert Kickl, FPO-ja fitoi 28,8 për qind të votave, ndërsa OVP-ja doli e dyta me 26,3 për qind. Social-demokratët (SPO) e morën vendin e tretë me 21,1 për qind të votave, sipas një projeksioni të mbështetur në pothuajse të gjitha votat nga kompania “Foresight” për televizionin ORF, margjinë pak më e gjerë e fitores sesa që ishte parashikuar në sondazhet e fundit.

“Ne e kemi bërë historinë austriake, sepse është hera e parë që Partia e Lirisë është numër 1 në zgjedhje parlamentare dhe ju duhet të mendoni se sa larg kemi ardhur” – tha Kickl pas rezultatit rekord të partisë, që erdhi shtatë dekada pas themelimit të saj në vitet e pesëdhjeta nën udhëheqësinë e një ish-ligjvënësi nazist.

Partia ka punuar për ta moderuar imazhin e vet dhe për ta zgjeruar mbështetjen, por Kickl mbetet figurë provokuese dhe përçarëse, troç e papëlqyer nga udhëheqës të partive të tjera, të cilët u bashkuan menjëherë për ta refuzuar mundësinë e një koalicioni me të.

Nëse Kickl nuk mund të bindë një parti tjetër për të hyrë në pushtet me të, kjo do të mund t’i jepte fund shpresës së FPO-së për formimin e një qeverie dhe do t’ia hapte derën një koalicioni me parti më të moderuara.

Vetëm OVP-ja ka dhënë shenja se do të mund të punonte me FPO-në, por e ka përjashtuar këtë gjë me Kickl, që nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do të tërhiqej për të lënë ndonjë figurë tjetër në krye të vendit.

Sipas parashikimeve për ndarjen e ulëseve në Kuvend, OVP-ja dhe SPO-ja, që e kanë udhëhequr Austrinë me dekada së bashku, do të mund të formonin një shumicë pa një parti tjetër, kombinim që për një kohë të gjatë ishte dukur me pak gjasa.

Fitorja e FPO-së u çmua nga partitë e së djathtës ekstreme në mbarë Evropën, ku kjo rrymë politike ka shënuar shtim të përkrahjes, përfshirë Holandën, Francën dhe Gjermaninë. Rritja e mbështetjes për të djathtën ekstreme mund ta shtojë rrezikun për përçarje brenda Bashkimit Evropian rreth politikave kyçe, përfshirë mbrojtjen e Ukrainës nga pushtimi rus.

Analistët thonë se pavarësisht nga fakti nëse Kickl do të bëhet kancelar apo jo, Austria tashmë ndodhet në ujëra të panjohura. “Ky, natyrisht, është moment i madh. Është një kthesë në Republikën e Dytë” – tha analisti politik, Thomas Hofer, duke iu referuar historisë austriake pas Luftës së Dytë Botërore.