Lajme

“Parregullsi, padrejtësi e shkelje e të drejtave të njeriut” – Pjetër Shala i drejtohet me ankesë Gjykatës Kushtetuese në Hagë

By GAZETA SCANNER 1

July 24, 2023

Njëri nga të akuzuarit në Gjykatën Speciale të Hagës, Pjetër Shala, i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese. Kjo pasi po pretendon se atij i janë shkelur të drejtat themelore, ka pasur parregullësi e padrejtësi gjatë disa vendimeve

Dy intervista që Pjetër Shala i kishte dhënë në Belgjikë lidhur me pjesëmarrjen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, janë kthyer në një betejë gjyqësore të “Ujkut” siç njihet Shala, dhe Prokurorisë e Gjykatës Speciale në Hagë.

Këto dy intervista, njëra në vitin 2016 e tjetra në vitin 2019, ishte vendosur të përdoren si prova në procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës. Megjithatë, me këtë nuk po pajtohet asesi Shala dhe mbrojtja e tij. Këta të fundit po pretendojnë se i janë shkelur të drejtat themelore në procedurë, ka pasur parregullësi dhe padrejtësi, raporton Nacionale.

Gjykata në shkallën e parë, por edhe ajo e Apelit, kishin vendosur në favor të Prokurorisë duke i pranuar përgjigjet e Shalës si prova gjatë gjykimit. Tash, avokati i Shalës i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese në Hagë.

Krejt kjo pasi Pjetër Shala gjatë këtyre dy intervistave, sipas mbrojtjes, nuk kishte pasur të drejtën e pjesëmarrjes së avokatit, çka e bën skandaloz gjithë këtë situatë dhe pranimin e përgjigjeve të tij si prova.

“I Akuzuari preket drejtpërdrejt nga Vendimi i kundërshtuar. I Akuzuari u bë viktimë e shkeljes së të drejtave të tij për gjykim të drejtë, si rezultat i konstatimit të Trupit Gjykues se deklaratat e dhëna gjatë intervistës belge të vitit 2016 janë “nuk janë të papranueshme” dhe mund të përdoren si provë kundër tij, si dhe për qëllime të rishikimit të paraburgimit”, thuhet në ankesën e Pjetër Shalës.

“Siç është konfirmuar nga Kolegji i Apelit, deklaratat e dhëna gjatë intervistës belge të vitit 2016 janë marrë në shkelje flagrante të së drejtës së të Akuzuarit për ndihmë juridike, e cila është një e drejtë e njeriut e mbrojtur ndërkombëtarisht sipas nenit 6(3) të KEDNJ.39 Përjashtimi i tyre është i nevojshëm për të ndaluar dhe parandaluar padrejtësitë e mëtejshme Konstatimi i Trupit Gjykues se deklarata të tilla “nuk janë të papranueshme” si provë dhe mund të përdoren për qëllime të gjykimit të tij, si dhe për shqyrtimin e paraburgimit, ka rezultuar dhe vazhdon të shkaktojë padrejtësi dhe paragjykime serioze dhe të pariparueshme” thuhet më tutje në këtë ankesë të avokatit të Pjetër Shalës.

Bazuar në këto argumente të mbrojtjes, ata kanë kërkuar që ky vendim i Apelit të kthehet prapa, dhe përgjigjet e Shalës të dhëna kohë më parë të mos merren parasysh, pasi sipas tyre janë marrë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut.

Tashmë, Dhomat e Specializuara të Hagës e kanë caktuar panelin e Gjykatës Kushtetuese që do të merret me këtë ankesë.

Ankesën e Shalës do ta trajtojnë gjyqtarët: Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti.

Vendimi pritet të vie pas disa muajsh, përderisa gjykimi ndaj Shalës po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve