Retro

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, investime masive që do ta çojnë Vlorën turistike një hap të madh përpara

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, ku inspektoi nga afër dy kantieret më të reja, Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë dhe zgjatjen e Transballkanikes deri tek porti.

Rama vlerësoi se këto janë “dy zhvillime që lidhen me transformimin e madh të portit të qytetit në një port turistik, me hotele, restorante, dyqane, rezidenca të reja dhe spostimin e portit të mallrave tek Triporti, ku do të kemi një port të ri me standarde ndërkombëtare – dy investime masive këto që do ta çojnë Vlorën turistike një hap të madh përpara, duke ndikuar ndjeshëm në ekonomi, punësim e imazhin e saj ndërkombëtar”.

Kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli u informoi se aktualisht po punohet në segmentin e  fundit të rrugës Trasballkanike.

“Falë këtij investimi rruga po mbërrin deri në portin e Vlorës. Në fund të rrugës Transballkanike vendoset rotondoja, e cila është një ndër më të mëdhatë gjatë gjithë rrugës dhe pastaj përcaktohet rruga hyrëse në port, e cila është një investim prej 1.5 milionë euro me 7 mijë m2 asfalt, 3 mijë m2 trotuare, 150 pemë dhe ndriçim”, tha Leli.

Ai theksoi se “me investimin e ri që e shndërron portin e Vlorës në një port turistik, ne shpresojmë t’i japim një frymëmarrje të re të gjithë investimit turistik të qytetit”.

“Janë rreth 68 objekte që do të prishen për këtë investim. Për 15 prej tyre janë bërë të gjitha dokumentacionet, ndërkohë që kemi një pjesë të objekteve që presim të bëhet vendimi i Këshillit të Ministrave. Shpronësimi shkon me vlerë rreth 2 milionë euro e garantuar nga qeveria shqiptare dhe ndryshon përfundimisht infrastrukturën rrugore të qytetit në drejtim të portit”, tha Leli.

Ai theksoi se janë kryer prishjet e para të rreth 15 objekteve pa dokumentacion dhe për këto objekte me vendim të Këshillit Bashkiak, të gjithë banorëve do t’u paguhet nga bashkia e Vlorës bonus qeraje deri në momentin e mbarimit të banesave sociale ku ata do të jenë prioriteti i parë për të hyrë.

Duke folur për projektin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë, Leli tha se këtu investimi kap një vlerë 6 milionë euro.

“Në këtë zonë ka interesim për të pasur një parkim nëntokësor. Kemi diskutuar me studion arkitekturore për gjithë zonën e Skelës. Përfaqësuesi i studios belge mendon që mund të ketë edhe një parkim tjetër afër zonës të portit që t’i shërbej investimit të shumëpritur për ta shndërruar portin aktual të qytetit në një port jahtesh, që do t’i jepte dimensionit turistik të Vlorës një hapësirë të re. Investimi ka një vlerë të konsiderueshme mbi 3- 4 milionë euro. Po shikojmë mundësinë për bashkëpunim me investitorë privatë të qytetit”, tha Leli./Ata.al

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1079571015811717/