Sport

Paris Saint-Germain feston përsëri në Francë, e merr titullin e 12-të në histori

By GAZETA SCANNER 1

April 29, 2024

Paris Saint-Germain është zyrtarisht kampion i Francës.

Parizienët festuan titullin e tretë radhazi dhe të 12 në histori, si askush tjetër në tokën franceze duke dominuar përsëri. Pas humbjes 3-2 të Monaco-s në transfertën e Lyon-it, PSG-ja është matematikisht kampion i Ligue 1 për sezonin 2023-2024.

Pavarësisht nisjes jo të mirë të këtij sezoni, PSG nuk u dorëzua dhe rekuperoi gjithçka në fazën e dytë, aty ku edhe rivalët e ndihmuan në distancë pasi gabuan shumë si Nice, Monaco apo edhe Lens. Titulli i parë për Luis Enrique-n në Francë, me spanjollin që u rikthye te një titull pas sezonit 2015-2016 kur triumfonte në La Liga me Barcelonën.

Mes shumë ndryshimeve në merkaton e verës dhe të dimrit, ky ishte një trofe i veçantë edhe për shumë lojtarë, pasi emra si Kang-In Lee, Manuel Ugarte, Randal Kolo Muani apo Lucas Beraldo ishte titulli i parë në karrierë.

Sezon jo normal mund të konsiderohet ky për Kylian Mbappe, por francezi ishte përsëri përcaktues te PSG, me 25-vjeçarin që është golashënuesi më i mirë i kampionatit francez dhe pavarësish minutazhit, që këtë sezon ka qenë i limituar, Mbappe tregoi se e ka në “ADN” golin.

Në 12 vite, prej 2012-ës, ky ishte titulli i dhjetë për Paris Saint-Germain që nuk ka triumfuar në vetëm dy sezone 2016-2017 (Monaco) dhe 2020-2021 (Lille).

Ky ishte trofeu i dytë sezonal për parizienët, pas Superkupës së fituar në fillim të këtij viti ndaj Toulouse, teksa PSG është në lojë edhe për dy trofe të tjerë, me finalen e Kupës ndaj Lyonit dhe misioni Champions League, aty ku skuadra e Luis Enrique do të luaj në gjysmëfinale ndaj Borussia Dortmund./supersport.al/