Këshilla mjekësore

Parandaloni djersitjen e tepërt

By GAZETA SCANNER 1

April 28, 2024

Djersitja është një problem shumë të bezdisshëm për një pjesë të madhe të njerëzve. Veçanërisht djersitja në pjesën e nënsqetullave ndikon negativisht edhe në jetën sociale të personit. Por sot djersitja e tepërt mund të parandalohet me anë të metodës së botoksit.

Shenjat e djersës të lëna në rroba janë një problem i padëshiruar për secilin prej nesh. Njerëzit zakonisht djersitin më shumë në duar, këmbë dhe nënsqetulla, sepse aty janë të vendosura më shumë gjëndrat e djersës. Djersitja ndodh si rezultat i përpjekjes së trupit për të ekuilibruar nxehtësinë e tij në rast të zhvillimit të një aktivitetit fizik apo emocional. Ky funksion natyral vihet re më shumë te disa persona.

Por, nuk duhet harruar se djersitja e tepërt ndikon negativisht në cilësinë e jetës së njeriut. Personat të cilët vuajnë nga një problem i tillë përjetojnë probleme psikologjike dhe në shumicën e rasteve qëndrojnë larg njerëzve dhe komunikimit me ta.

Sot përdoren disa ilaçe që minimizojnë funksionet e gjëndrave të djersës. Por edhe këto ilaçe në rast të një djersitjeje të tepërt arrijnë një rezultat të kufizuar.

Këto ilaçe mund të sjellin edhe efekte anësore, prandaj duhen marrë pas këshillimit me specialistin. Për djersitjen e tepërt në pjesën e nënsqetullave përdoren kremra, gel ose sprej.