Lajme

Paralajmërimi i Konjufcës për një sulm serb, Qalaj: Vetëm popullizëm, jemi në prag të zgjedhjeve

By GAZETA SCANNER 1

July 03, 2024

Para dy ditësh, kryekuvendari kosovar, Glauk Konjufca, deklaroi se ka informacione të sakta se qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.

Një zë kritikë ndaj kësaj deklarate është deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj.

Në “FIVE” të Dukagjinit, Qalaj e cilësoi këtë deklaratë si një akt populizmi, duke e kritikuar Konjufcën për përdorimin e këtyre informacioneve për qëllime politike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

“Ju e dini që ne kemi një vit zgjedhor dhe Kosova është në prag të zgjedhjeve, meqenëse afati i rregullt për mbajtjen e zgjedhjeve është brenda 6 muajve. Normalisht, kur ke liderë të institucioneve që janë populistë, ke informata të tilla”, ka thënë Qalaj.

Sipas tij, publikimi i këtyre informacioneve mund të shkaktojë panik dhe frikë te popullata, ndërsa në vend të kësaj, ato duhet të përdoren për përgatitjen e institucioneve të sigurisë për situata të mundshme.

“Çdo informatë që ka zoti Glauk Konjufca, por edhe ne të gjithë, duhet t’ia plasojmë institucioneve të sigurisë dhe të mos ta torturojmë popullatën me lajme të tilla. Nëse i marrin dhe i publikojnë, është shumë e keqe. Në vend që të dalim me opsione që ta terrorizojmë dhe frikësojmë popullatën e Kosovës, ne ato informata duhet t’i shfrytëzojmë, sidomos institucionet e sigurisë që të përgatiten për situata të tilla”, ka shtuar Qalaj.

Teksa ka theksuar se edhe në të kaluarën ka pasur diskutime për sulme të mundshme nga Serbia, Qalaj ka thënë që zyrtarët e partisë në pushtet, Vetëvendosjes, duhet të përballen me drejtësinë nëse kanë aluduar për sulmin terrorist të Banjskës duke përhapur frikë për një luftë të mundshme me Serbinë.

“Edhe në të kaluarën është folur për sulm nga Serbia, jo të tipit të Banjskës. Nëse ka pasur ndonjë informatë për ndonjë sulm terrorist të tillë dhe e kanë ditë institucionet e sigurisë dhe kur kanë thënë që mund të ketë lufte me Serbinë kanë aluduar në këto incidente atëherë ata ish dashur që të përballen me drejtësinë. Për shkak së ato është dashur që informatat t’i shfrytëzojnë institucionet e sigurisë që të përgatiten që të mos ndodhin situa të tilla…”, ka thënë ndër të tjera Qalaj.