Lajme

Paralajmërimet e Kurtit për sulme të reja, Gashi: Deklarime të tilla vijnë kur Qeveria ka kriza

By GAZETA SCANNER

December 26, 2024

Kandidati për deputet nga “Koalicioni për Familjen”, Bejtush Gashi ka thënë se deklarimet për sulme të reja në veri vijnë zakonisht kur Qeveria është në krizë ose ka probleme.

Kjo sipas tij, me deklarime të tilla dëshirojnë ta shpërqendrojnë vëmendjen e qytetarëve siç tha ai nga paaftësia për t’i përballuar krizat.

“Retorikat të cilat lidhen me fushata të tilla vinë zakonisht kur Qeveria ka probleme dhe ka kriza të cilat dëshiron të shpërqendrojë vëmendjen nga paaftësia për t’i përballuar ato kriza dhe krijon mundësi që në situatat aktuale popullata të përqendrohet në shqetësimet që burojnë si rezultat i kërcënimeve të mundshme të cilat janë permanente”, ka deklaruar ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Të martën kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media ka folur për situatën në veri, nga ku ka paralajmëruar se para dhe pas Vitit të ri, mund të ndodhin sulme të tjera atje.

“Këso metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovë, të cilët për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikut në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri. Mirëpo, ne jemi të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë të neutralizojmë maksimalisht. Përkundër faktit që sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtetet e fuqishme”, ka thënë ai.

Kurti tha po ashtu se sulmi terrorist në kanalin ujor në “Ibër-Lepencit” më 29 nëntor ka pasur qëllim ta rrezikojë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Kurti theksoi po ashtu se prapa këtij sulmi, qëndron terroristi Milan Radoiçiq.