Sport

Para ndeshjes së sotme, delegacioni i FFK-së mirëpritet në Bukuresht nga i pari i Federatës së Futbollit të Rumanisë

By GAZETA SCANNER 1

November 15, 2024

Në prag të ndeshjes së shumëpritur ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, që do të zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin prestigjioz “National Arena” të Bukureshtit, presidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Razvan Burleanu, organizoi një drekë zyrtare për delegacionin e Federatës së Futbollit të Kosovës, të kryesuar nga presidenti Agim Ademi.

Në këtë takim miqësor, ku ishte i pranishëm edhe delegati i UEFA-s nga Mali i Zi, presidenti Burleanu shprehu mirëseardhjen e ngrohtë për delegacionin e Kosovës, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy federatave, pavarësisht incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së shtatorit 2023 në Bukuresht.

Ai theksoi se përballja e sotme është organizuar me përkushtim të madh në bashkëpunim me UEFA-n dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një atmosferë sportive dhe në frymë të ‘fair-play’-it.

Nga ana tjetër, presidenti Ademi e falënderoi homologun e tij për mikpritjen e ngrohtë dhe përkushtimin e tij dhe të autoriteteve rumune për  ndeshjen e sotme.

Ai shprehu dëshirën që kjo përballje të jetë një spektakël i futbollit dhe që gjithçka të zhvillohet brenda kornizave sportive, duke promovuar respektin ndërmjet dy shteteve.

Gjatë kësaj dreke zyrtare, të dy delegacionet diskutuan mbi çështje të rëndësishme, përfshirë organizimin e futbollit në të dy vendet dhe mundësitë për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Të dyja palët theksuan rëndësinë e zhvillimit të përbashkët të projekteve që kontribuojnë në rritjen e cilësisë së futbollit.

Në përfundim të takimit, si pjesë e traditës, u shkëmbyen dhurata simbolike, duke forcuar më tej marrëdhëniet mes dy federatave.