Retro

Pandemitë e mbysin edhe dhembshurinë

Shkruan David Books për The New York Times

Disa fatkeqësi, si uraganet dhe tërmetet, mund t’i bashkojnë njerëzit, mirëpo nëse historia është njëfarë gjykatëseje, atëherë pandemitë në përgjithësi na ndajnë. Këto janë kriza në të cilat distancimi shoqëror është virtyt. Droja pushton lidhjet normale të afeksionit njerëzor.

Xhovani Bokaçio shkruan te “Dekameroni” se çfarë kishte ndodhur gjatë murtajës që preku Firencen më 1348: “Ishte e mërzitshme të rrëfesh se si qytetari shmangte qytetarin, se sa të rrallë mes fqinjësh ishin ata që shfaqnin bashkë-ndjesi, se sa të ftohtë ishin njerëzit e gjakut që nuk u takuan kurrë…dhe për më shumë, që rrallë besohet, gjendej që baballarë dhe nëna braktisnin fëmijët e tyre duke i lënë në fatin e vet, të pavizituar dhe pa kujdes.

Daniel Defoe, në librin e tij për epideminë e 1665-ës në Londër, “Ditari i Vitit të Murtajës”, raporton që “kjo kishte qenë një periudhë ku siguria private e secilit shtrihej aq afër sa që ata nuk kishin hapësirë për të mëshiruar shqetësimet e të tjerëve…Rreziku i vdekjeve tona të menjëhershme na mori të gjitha lidhjet e dashurisë dhe gjithë brengosjen për njëri-tjetrin”.

Frika shpie njerëzit në këso çastesh, por ashtu bën edhe turpi, i shkaktuar nga gjëra brutale që duhet bërë për ta ngadalësuar përhapjen e sëmundjes. Në të gjitha pandemitë, njerëzit detyrohen që të marrin vendime që mjekët në Itali tani po detyrohen t’i marrin – t’ua mohojnë kujdesin disa prej atyre që po vuajnë duke i lënë kështu në fatin e tyre.

Në Venedikun e shekullit të shtatëmbëdhjetë, punëtorët e shëndetit kërkuan nëpër qytet, i identifikuan viktimat dhe i larguan në “spitale të izoluara” ku dy e treta e tyre vdiqën. Në shumë qytete përgjatë shekujve, autoritetet komunale mbyllnin familje të tëra në shtëpitë e tyre, mbyllnin premisat dhe bllokonin çfarëdo dërgese provizionesh apo kujdesi mjekësor.

Historiani i Yale, Frank Snowden, që shkroi “Epidemitë dhe Shoqëria”, argumenton që pandemitë ia mbajnë një pasqyrë shoqërisë dhe na detyrojnë që t’i shtrojmë pyetjet më themelore: Çfarë po provon të na tregojë vdekja e mundshme iminente? Ku gjendet Zoti në tërë këtë? Cila është përgjegjësia jonë ndaj njëri-tjetrit?

Pandemitë nxisin një ndjenjë të një fatalizmi ligështues. Njerëzit e kuptojnë se sa pak i kanë në kontroll jetët e tyre. Anton Çehovi ishte viktimë gjatë epidemisë së tuberkulozit që kishe kaluar nëpër Rusi në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Snowden vë në spikamë që dramat të cilat ai i shkroi gjatë shërimit të tij, kanë të bëjnë me njerëz që ndjehen të ngujuar, duke pritur për ngjarje jashtë kontrollit të tij, në pamundësi për të vepruar dhe në pamundësi për të vendosur.

Pandemitë po ashtu e godasin më së forti të varfrin dhe rrisin ndasitë klasore.

Kolera që goditi Napolin më 1884, posaçërisht Qytetin e Poshtëm, ku jetonin të varfrit. Lagjen e kapluan spekulimet se zyrtarët e qytetit po e përhapnin sëmundjen. Kur punëtorët e pakonsideratë të shëndetit publik erdhën në Qytetin e Poshtëm, banorët lokalë u revoltuan duke i gjuajtur me orendi dhe duke i shtyrë poshtë shkallëve.

Qyteti mendonte që sëmundja ngjitej nga njerëzit që hanin pemë të papjekura apo të stërpjekura. Fshatarët u përgjigjën duke sjellë me vete shporta me pemë në ndërtesën e bashkisë, dhe duke i ngrënë me grykësi– një mënyrë kjo që t’ua tregonin gishtin e mesëm elitave që ishin aq të padobishme përballë sëmundjes.

Pandemia e gripit spanjoll që dërrmoi Amerikën më 1918 prodhoi reagime të ngjashme. Autori i librit “Gripi i Madh” John M. Barry, raporton që teksa kushtet po përkeqësoheshin, punëtorët e shëndetit u kërkonin vullnetarëve, qytet më qytet, që të kujdeseshin për të sëmurët. Por pak të tillë bënë një hap para për ta bërë këtë.

Në Filadelfia, kreu i ndihmës emergjente kërkoi ndihmë për kujdesin ndaj fëmijëve të sëmurë. Askush s’u përgjigj. Drejtori i organizatës u kthye plot përçmim: “Qindra gra…kishin ëndrra të bukura për veten në rolin e engjëjve të mëshirës…Asgjë nuk po duket se po i zgjon tash…ka familje ku secili anëtar është i sëmurë, në të cilat fëmijët vërtet po vdesin urie sepse ka kush t’iu ofrojë ushqim. Shkalla e vdekjeve është aq e lartë, dhe ata prapë po hezitojnë”.

Kjo e shpjegon njërin prej tipareve më hutues të pandemisë së 1918-ës. Kur mori fund, njerëzit nuk flisnin për të. Kishte pak libra apo drama që ishin shkruar për të. Afërsisht 675 mijë amerikanë vdiqën nga gripi, krahasuar me 53 mijë që vdiqën në Luftën e Parë Botërore, dhe prapë pa gati asnjë shenjë të vetëdijshme kulturore.

Ndoshta sepse njerëzve nuk iu pëlqeu ajo se në çfarë ishin shndërruar. Ishte një kujtim i turpshëm, prandaj edhe i shtypur. Në disertacionin  e saj më 1976, “Një Erë Mizore”, Dorothy Ann Pettit, argumenton që pandemia e gripit të 1918-ës kontribuoi  më pas në një plogështi shpirtërore. Njerëzit dolën nga aty të lodhur fizikisht dhe shpirtërisht. Gripi, shkruan Pettit, kishte një efekt këndellës dhe çiluzionues në frymën kombëtare.

Ka një përjashtim në këtë litani pikëlluese: punëtorët e kujdesit shëndetësor. Në secilën pandemi, ka doktorë dhe infermiere që përgjigjen me heroizëm dhe mëshirë të pabesueshme. Kjo po ndodh sot.

Mike Baker së fundi pati një raport në [The New York] Times për spitalin EvergreenHealth në Kirkland të Uashingtonit, ku stafi  shfaqi atë lloj dhembshurie efikase që ka qenë e pranishme në të gjitha pandemitë përgjatë shekujve. “Nuk kemi pasur probleme me staf që nuk do që të hyjë”, ka thënë një ekzekutiv i Evergreen. “Kemi pasur të tillë që kanë thirrur dhe kanë thënë, ‘Nëse ju nevojitem, jam në dispozicion’”.

Ndoshta kësaj radhe do të mësojmë nga shembulli i tyre. Po ashtu, nuk do të ishte ide e keqe nëse marrim hapa që ta luftojmë sëmundjen morale që e shoqëron atë fizike.