Zenun Pajaziti i PDK-së lavdëroi Bedri Hamzën, duke deklaruar se partia e tij e ka një kandidat për kryeministër që është jashtëzakonisht profesional dhe i pranuar për qytetarët e Kosovës.
Ndërkaq, kryeministrin Kurti e cilësoi si një profil i cili, sipas tij, prej një oratorie mbresëlënëse para qytetarëve dhe ndërkombëtarëve nuk sjell asgjë në terren, ka defekte serioze në partneritet me ndërkombëtarët, e kjo sipas Pajazitit nënkupton edhe nivelin e sigurisë sonë, rrjedhimisht është edhe partneriteti me miqtë tanë.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova ai shtoi se Hamza vjen me një bagazh si shërbyes civil e si njeri me përgjegjësi të larta shtetërore, dhe si njeri që ka përvojë të jashtëzakonshme me menaxhimin e financave publike e me një lidership të pavarur si kryetar komune e si njeri që ka një integritet të lartë.
“Hamza vjen sikur një diçka që ishte e shumëpritur për këtë kohë dhe ne patëm fatin si PDK që ta kemi një figurë të tillë. Kudo që shkohet, emri i tij është disi një shpresë e re për qytetarët e Kosovës”.
“E kemi Bedri Hamzën në momentet më të mira të shtetit, që arriti të menaxhojë e balancojë interesat dhe kërkesat e qytetarëve e të punonjësve për rritje pagash dhe atyre që ishin për investime, financimit të projekteve të mëdha etj. Pra në kohën e Bedri Hamzës ndodhën edhe autostradat, edhe rritja e pagave, edhe qeverisja që shënoi me diçka konkrete një periudhë qeverisëse disavjeçare”, tha Pajaziti i PDK-së.