Ekonomi

Paditen pesë gjigantë të teknologjisë

Pesë kompanitë më të mëdha teknologjike në botë janë paditur si bashkëpunëtorë në vdekjen e fëmijëve të cilët ishin detyruar të punojnë në minierat e kobaltit në Republikën Demokratike të Kongosë.

Padia në emër të 14 familjeve kongoleze u paraqit nga Avokatët Ndërkombëtarë të të Drejtave, një organizatë amerikane joprofitabile, kundër ‘Tesla Inc’, ‘Apple Inc’, ‘Alphabet Inc’, ‘Microsoft Corp’ dhe ‘Dell Technologies Inc’.

Kompanitë ishin pjesë e një sistemi të punës së detyruar, i cili, sipas pretendimeve të familjeve,  rezultoi në vdekjen dhe lëndimin serioz të fëmijëve të tyre, thuhet në ankesë.

Ky veprim juridik njëheri shënon rastin e parë kur industria e teknologjisë, si grup, përballet me padi në lidhje me burimin e kobaltit që përdor, një metal i domosdoshëm në prodhimin e telefonave dhe kompjuterëve.

Imazhet në lëndën e padisë, të paraqitura në Gjykatën e Qarkut të Uashingtonit, paraqisnin fëmijëve me gjymtyrë të deformuara ose të humbura.

“Gjashtë nga 14 fëmijët në këtë rast vdiqën me rastin e shembjes së tuneleve, ndërsa të tjerët pësuan lëndime që ia u ndryshuan jetën, përfshirë paralizën”, thuhet në padi.

“Këto kompani, ndër më të pasurat në botë, kompani që ndërtojnë aksesor të zbukuruar, kanë lejuar që fëmijët të sakatohen dhe vriten për ta nxjerrë kobaltin e tyre të lirë,” avokati që përfaqëson familjet, Terrence Collingsworth, i tha “Fondacionit Thomson Reuters”.

Kobalti është thelbësor për punimin e baterive të karikueshme të litiumit që përdoren në miliona produkte të shitura nga industria e teknologjisë. Ndërsa, më shumë se gjysma e kobaltit në botë prodhohet në Kongo.

Kërkesa globale për këtë metal pritet të rritet për 7 për qind, në 13 për qind në vit gjatë dekadës së ardhshme, sipas një studimi të vitit 2018, të kryer nga Komisioni Evropian.

Në padi po ashtu thuhej se fëmijët, disa të moshës 6-vjeç, ishin të detyruar nga varfëria e skajshme e familjeve të tyre të linin shkollën dhe të punonin në minierat e kobaltit, në pronësi të kompanisë britanike të minierave ’Glencore’. ‘Glencore’ edhe më parë është akuzuar për përdorimin e fëmijëve për punë.

Disa fëmijë janë paguar deri 1.50 dollarë në ditë, duke punuar 6 ditë në javë, thuhet në padi.

Në përgjigje të një kërkese për koment, ‘Dell’ tha përmes një e-maili se ajo ‘kurrë me dijeni nuk ka kryer punë’ duke përdorur punën e fëmijëve dhe se ka filluar një hetim për këto akuza.

Një zëdhënës i ‘Glencore’ tha se kjo kompani i ka parë pretendimet e përfshira në një padi para gjykatave amerikane, të ngritur më 15 dhjetor.

“Prodhimi i kobaltit nga ‘Glencore’ në Kongo është një nën-produkt i prodhimit tonë industrial të bakrit. Uzinat e ‘Glencore’ në Kongo nuk blejnë ose përpunojnë ndonjë xehe të minierave artizanale”, thanë nga ‘Glencore’.

Në padi argumentohet se të gjitha kompanitë kanë aftësi t’i rregullojnë zinxhirët e furnizimit me kobalt për të siguruar kushte më të sigurta.

“Asnjëherë nuk kam hasur apo dokumentuar një asimetri më të rëndë në shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet majës dhe fundit të zinxhirit të furnizimit”, tha Siddharth Kara, një studiues për skllavërinë moderne, i cili është edhe një dëshmitar ekspert në këtë rast.

“Ndoshta kjo shkëputje e bën këtë padrejtësinë më të keqe të skllavërisë dhe shfrytëzimit të fëmijëve që kam parë në studimet e mia gjatë dy dekadave,” tha Kara.

Përndryshe, më shumë se 40 milion njerëz vlerësohet të jenë robër të skllavërisë moderne, e cila përfshin punën dhe martesat e detyruara, sipas Walk Free dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës.