Lajmest-slider

Pacolli: Do t’i dorëzojë në prokurori 10 mijë faqe dëshmi për krimet e Serbisë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë me dije se do të dorëzojë në Prokurorinë Speciale një material me 10 mijë faqe dëshmi për krimet e Serbisë në Kosovë.

Ai në një konferencë për medie ka deklaruar se këto dokumente tregojnë thellësinë e krimeve të luftës të kryera në Kosovë. “Do të depozitoj 10 mijë faqe material për krimet e luftës në Kosovë. Këto në ditët në vijim do t’i dorëzohen prokurorëve tanë dhe të shohin se çka mund të bëjnë. Janë materiale që përshkruajnë ngjarjet në detaje dhe në ditët në vijim do t’i dorëzojmë prokurorëve tanë. Janë dokumente që janë aty dhe s’janë trajtuar asnjëherë. Sipas informatave që kam, 95 për qind e kriminelëve të përmendur këtu janë diku që sot veprojnë dhe lëvizin lirshëm”, ka thënë Pacolli.

Më tutje, Pacolli ka thënë se Kosova asnjëherë nuk duhet të harrojmë mizoritë e së kaluarës.

 “Ne ia kemi borxh viktimave të këtyre krimeve kundër njerëzimit. Ne ia kemi borxh edhe vetvetes, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë nëse ndriçojmë ditët e errëta të së kaluarës. Është një detyrim moral ndaj njerëzimit. Detyra historike është të dokumentohen torturat, vrasjet, përdhunimet, dëbimet me forcë dhe krimet e tjera të luftës të kryera nga forcat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1998-1999”, ka theksuar Pacolli.