Lajmest-slider

Osmani: Vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se LDK-ja po pret nga Vetëvendosje të njëjtin vullnet politik siç e ka partia e saj për të arritur marrëveshjen e koalicionit.

“Unë nuk mund të flas për Vetëvendosjen, nuk e di çfarë arsye kanë ata, duhet t’i pyesni ata për qëndrimin e tyre, ajo çka kemi shprehur një bashkëpunim në mënyrë bashkëpunuese është që të takohemi sërish dhe të ulemi të diskutojmë e t’i sqarojmë pozitat tona si LDK, pastaj ta shohim se çfarë ndodhë mëtutje. Me rëndësi është që ne kemi shprehur vullnetin e plotë, do të doja ta shihja edhe të njëjtin vullnet te Vetëvendosje”, ka thënë Osmani për EO.

Ajo ka thënë se vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë, në dy rastet që obligon Kushtetuta.

“Këto janë procedura kushtetuese, nëse deri më datën 26 tetor nuk ka marrëveshje atëherë është çështje e partisë së parë të vendos nëse do të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi apo jo dhe të konstituohen institucionet apo e lënë për një datë tjetër. Vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë në dy rastet që jepen në përputhje me Kushtetutën”, është shprehur Osmani.

Osmani për pozitën e presidentit ka thënë se është çështje e balancit të pushteteve dhe asgjë tjetër.

“Ne këto çështje do t’i diskutojmë në tavolinë në momentin e parë që ka takime. Nuk është çështje e ngurimit, është çështje e balancit të pushteteve dhe asgjë tjetër”.

“Pra, vullneti ekziston besoj të tjerat diskutohen në tavolinë dhe është tejet me rëndësi të kuptohet që çështjet që janë shtruar në Këshillin e Përgjithshëm janë të tilla që i kanë dhënë përkrahje të plotë kryetarit dhe neve si nënkryetarë që negociojmë më LV-në në mënyrë që të diskutojmë çështjet që kanë mbetur të paakorduara dhe në fund të përpiqemi që të bëjmë një marrëveshje që është në të mirë të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.