Lajme

Osmani takon ministren e Jashtme të Gjermanisë i kërkoi mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

By GAZETA SCANNER 1

October 01, 2024

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së punës në Gjermani, ka takuar ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, njofton Presidenca.

Në takim, Presidentja Osmani theksoi se Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik, ndaj Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të saj.

Presidentja Osmani ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë ishin gjithashtu tema të diskutimit të Presidentes Osmani dhe ministres Baerbock.

Presidentja Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse  një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj. Në këtë kontekst, Presidentja ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t`i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të, ndaj  marrëveshja duhet të zbatohet si e plotë.

Ndër të tjera, në këtë takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, duke përshirë angazhimin e përbashkët në përmbushjen e agjendës së gjelbër.

Sipas Presidentes Osmani, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë fuqizohen edhe më shumë nga numri i konsiderueshëm i mërgimtarëve kosovarë, të cilët janë integruar me sukses në shoqërinë gjermane.