Lajme

Osmani: Serbia s’mund të ëndërrojë të jetë pjesë e NATO-s, ende fle mbi varret masive

By GAZETA SCANNER 1

March 20, 2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili ka deklaruar se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova.

Për këtë, ka thënë se shteti i Serbisë nuk mund të jetë pjesë e e saj përderisa ka shkelur vlerat me të cilat është ndërtuar NATO, raporton Ekonomia Online.

Osmani ka thënë se Serbia është një shtet që fle mbi varreza masive dhe se nëse dikush e konsideron atë si aleate të NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare të kësaj organizate, por të gjitha “viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.

“Ekziston vetëm një shtet më larg NATO-s se sa Serbia dhe ajo është Rusia. Një shtet si Serbia i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, lëre që është larg NATO-s por as që mendojë një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. E dyta, pikërisht Serbia vetë është anti-vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet ndonjëherë në NATO. Pra është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO dhe është kundër NATO-s. Serbia është shteti i vetëm që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës”, u shpreh Osmani.

“Serbia kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale, është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Serbia është një shtet që akoma fle mbi varreza masive, kushdo që e konsideron Serbinë afër ANTO-s, nuk i ofendon vetëm shtet mirëpo ofendon viktimat e Serbisë së Millosheviqit”, ka deklaruar e para e shtetit.

Këto deklaratë për medie, Osmani e ka bërë pas adresimit në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”.