Lajme

Osmani pret në takim komandantin turk të KFOR-it: I shpreh mirënjohje që kanë ardhë më shumë trupa në Kosovë

By GAZETA SCANNER 1

October 13, 2023

Presidenca e Republikës së Kosovës me një komunikatë për media kanë njoftuar se e para e vendit, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR në Kosovë, turkun Ozkan Ulutas.

Osmani e uroi atë për marrjen e detyrës.

E para e Kosovës në këtë takim veçoi rëndësinë e kordinimit për përballje ndaj kërcënimeve që vijnë nga Serbia, dhe ajo shprehu mirënjohjen që trupat shtesë të KFOR tani më kanë arritur në Kosovë.

Gjenerali turk shprehu mirënjohje për Osmanin, dhe tha se do të bashkëpunoj ngusht me instituconet e Kosovës dhe konform mandatit të tij.

Njoftimi i plotë nga presidenca:

Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, priti në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it duke shprehur besimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.

Gjithashtu, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit në përballjen me sukses ndaj sfidave e kërcënimeve të hapura nga Serbia që tentojnë të cenojnë sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendit, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit. Në këtë drejtim, Presidentja shprehu mirënjohjen për përforcimin e trupave të KFOR-it, të cilat po i përkrahin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë.

Nga ana e tij, Gjeneral Ulutaş, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për pritjen nga ana e Presidentes Osmani, duke theksuar se do të bashkëpunoj ngushtë me Presidenten Osmani dhe të gjitha institucionet e tjera vendore për të realizuar përgjegjësinë e tij në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit bazuar në mandatin e misionit të KFOR-it në Kosovë.