Ballina

Osmani për planin franko-gjerman: BE-ja përdor gjuhë të paqartë në zgjidhjet që ofron

By GAZETA SCANNER 1

January 31, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë marrëveshja e cila ofrohet për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka shumë rëndësi.

Ajo e ka përmendur propozimin franko-gjerman, duke deklaruar se janë shumë të kujdesshëm kur flasin për këtë propozim.

Osmani për portalin “Profil” të Austrisë ka thënë se propozimi flet për “vetëqeverisje të serbëve”.

Ajo tutje ka kritikuar Bashkimin Evropian se përdorë gjuhë të paqartë në zgjidhjet e ofruara, në mënyrë që sipas saj, palët t’i interpretojnë marrëveshjet ashtu siç i shohin të arsyeshme.

“Nëse ulem me tre avokatë, do të marr të paktën dhjetë mendime të ndryshme se çfarë do të thotë kjo në praktikë. BE-së i pëlqen të përdorë një gjuhë të paqartë në mënyrë që të dyja palët të mund t’i interpretojnë marrëveshjet ashtu siç e shohin të arsyeshme. Duhet ta lëmë pas këtë strategji. Sepse ne jemi ata që duhet të jetojmë me pasojat”, ka thënë ajo.

“Vuçiqit po i bëhet shumë pak presion”

Osmani tutje ka shtuar se nuk ka shumë shpresa se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do t’u përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara.

Ajo ka thënë se me Serbinë gjithmonë duhet negociuar dy herë, duke shtuar se së pari duhet bindur për ta nënshkruar e pastaj për ta zbatuar atë që është nënshkruar.

“Nuk kam shumë shpresa për Vuçiqin. Nuk po them se nuk do të nënshkruajë asgjë. Ai ka nënshkruar shumë marrëveshje, duke përfshirë periudhën prej tri vjetësh që kur u bëra presidente në vitin 2021. Njëra kishte të bënte me targat në komunitetet serbe në veri. Një për njohjen e letërnjoftimeve kosovare në pikat kufitare me Serbinë dhe një për një marrëveshje energjetike. Vuçiqi nuk ka zbatuar asnjë nga këto marrëveshje. Gjithmonë duhet të negociosh dy herë me Serbinë: së pari duhet t’i bindësh të nënshkruajnë, dhe më pas duhet bindur për ta zbatuar atë që kanë nënshkruar. Kjo e fundit është më e vështirë se e para”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se Vuçiqit po i bëhet shumë pak presion. Ka shtuar se atij i pëlqen të jetë “mbreti i dramës” dhe ta teprojë.

Sipas saj, ka një qetësim të madh ndaj tij nga Perëndimi, derisa ka theksuar se kjo bëhet përkundër faktit se Vuçiq nuk është aspak properëndimor.

“E kam fjalën për një Vuçiç, vendi i të cilit është i vetmi në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Një Vuçiç që hap ‘qendra humanitare’ në Serbi, të cilat i shërbejnë de fakto spiunazhit rus. E ke fjalën për qendrën humanitare serbo-ruse në Nish. Ekziston dyshimi se Rusia po spiunon amerikanët nga atje, të cilët mbajnë njërën prej bazave më të mëdha amerikane në Evropë në Kosovë. Për të qëndruar korrekt: Nuk ka asnjë provë përfundimtare të akuzës për spiunazh”, ka thënë ajo.

“S’kemi nevojë për një Republika Srpska tjetër në rajonin tonë”.

Osmani ka thënë se Kosova ka bërë lëshime qysh para pavarësisë së vendit.

Ka shtuar se e gjithë kjo e ka sjellë Kosovën në prag të mosfunksionimit.

Sipas Osmani rajoni nuk ka nevojë për një tjetër Republikë Srpska.

Osmani ka thënë se Kosova ka nevojë për modele multietnike, jo për ndarje etnike.

“Më pyetët se çfarë mund t’i ofrojmë Serbisë si shpërblim. Përgjigja ime është: si shpërblim për çfarë? Si shpërblim për kryerjen e krimeve të luftës? Si shpërblim për destabilizimin e fqinjëve? A është kjo ajo që BE-ja dëshiron të shpërblejë? Edhe 24 vjet pas luftës, Serbia nuk ka kërkuar kurrë falje për atë që ndodhi në vitet 1990. Asnjëherë nuk i ka pranuar krimet dhe as i ka sjellë autorët para drejtësisë”, ka thënë ajo.