Ballina

Osmani në tryezën ekonomike Kosovë – Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

By GAZETA SCANNER 1

February 25, 2024

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet  Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë, njofton Presidenca, transmeton Scanner.

Në këtë tryezë ekonomike me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit dhe bizneseve anëtare katariane, kryetarit të Prishtinës z. Përparim Rama edhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova, u diskutua për mundësitë e shumta për parnteritete biznesore dhe investime në sektorë strategjik.

Duke folur për potencialin zhvillimor të Kosovës, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme.

Presidentja Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike.

Ndërkaq, Kryetari Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë.

Kjo tryezë shërbeu edhe si platformë për bizneset kosovare për të promovuar bizneset e tyre dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt me bizneset katariane.

Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për parneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.

Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Web Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha.