Lajme

Osmani: Liria dhe shteti ynë mbajnë vulën e Adem Jasharit

By GAZETA SCANNER 1

March 05, 2023

Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm një histori lufte e beteje por një histori e qëndrueshmërisë, këmbënguljes e shpresës. Është një histori sakrifice por edhe histori triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Kështu theksoi presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në kuadër të manifestimeve të 25-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar dhe familjes së tij në Prekaz.

Këta burra e gra ju përgjigjën kushtrimit për liri, ndaj me trimëri, guxim e vetëmohim të palëkundur luftuan për ta mbrojtur shtëpinë tonë – Kosovën dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Ata nuk ishin thjeshtë ushtarë, ata ishin dhe mbesin heronj. Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe 3000 dëshmorëve të UÇK-së dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh”, ka thënë presidentja Osmani në fjalimin e saj para ushtarëve të FSK-së.

Ajo ka thënë se të rënët për liri janë mëshirim i trimërisë dhe nderit.

“Prandaj në ditët e Epopesë kujtojmë jo vetëm ata që dhanë jetën për lirinë tonë, por edhe trimërinë dhe guximin e të gjithë ushtarëve tanë që luftuan pa kursyer asgjë për ta mbrojtur kombin dhe vendin tonë”, ka shtuar e para e shtetit.