Lajme

Osmani e prerë: Serbia u tërhoq nga marrëveshja, nuk e kemi asnjë obligim për zbatim

By GAZETA SCANNER 1

July 10, 2024

Në një intervistë të fundit me Zërin e Amerikës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nënvizoi rëndësinë e një procesi dialogu konstruktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si hapi kryesor në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

Osmani tha se avancimi në procesin e dialogut do të përshpejtonte integrimin e Kosovës në këto institucione evropiane.

“Sa më shumë të ketë hapa në dialog, aq më shpejt Kosova do të bëjë hapa vendimtarë drejt BE-së dhe NATO-s, por duhet ta bëjmë një gjë të qartë”, tha ajo.

Ajo theksoi rëndësinë e zbatimit paralel të obligimeve, duke u bërë thirrje të dyja palëve që njëkohësisht t’i përmbushin zotimet e tyre.

“Në çdo kontratë e marrëveshje janë dy palë – dhe është parim bazik i të drejtës ndërkombëtare; dhe kur njëra palë tërhiqet nga marrëveshja pala tjetër nuk ka asnjë detyrim të zbatojë pjesën tjetër të marrëveshjes.

Ne insistojmë jo të ikim nga obligimet tona por që të ketë zbatim paralel.

Ku ka obligime për Kosovën, disa prej të cilave kanë qenë koncesione të vështira, por ka edhe obligime të qarta për Serbinë që në tërësi konstituojnë njohje de-facto të RKS, siç është potencuar qarët nga liderët evropian.

Nuk mundet Serbia të deklarohet hapur dhe të dërgojë letër nga ana e kryeministres që po tërhiqen në tërësi dhe nuk do ta zbatojnë dhe ne të ofrohemi si vullnetar që të zbatojmë gjithçka pa marrë siguresa në anën tjetër”, tha më tej Osmani.