Ballina

Osmani e Kurti e mbajtën të fshehur, zyrtari i lartë amerikan ua kërkoi formimin e Asociacionit

By GAZETA SCANNER 1

January 11, 2023

Këshilltari i lartë amerikan, Derek Chollet, edhe njëherë ka përçuar kërkesën e bashkërenduar me Bashkimin Evropian ndaj liderëve kosovarë, që të zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshirë edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, një kërkesë të këtillë nuk e lajmëruan për opinionin publik as Kurti e as Osmani.

Chollet në një bisedë me gazetarët në Prishtinë, siç raporton REL-i, kërkoi që të zbatoheshin të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtu ai e përmendi edhe Asociacionin.

“Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, deklaroi ai.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duke të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, vijoi deklarimi i këshilltarit të lartë të DASH-it.

Megjithatë, kërkesën e SHBA-së nga ana e Chollet drejtuar liderëve të vendit për Asociacion e mbajtën të fshehtë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në anën tjetër, Osmani përmendi vetëm Dialogun Strategjik me SHBA-në, por jo edhe Asociacionin.

“Falënderova z. Chollet dhe delegacionin e lartë amerikan për angazhimin proaktiv dhe të shtuar të Shteteve të Bashkuara, i cili mbetet vendimtar për paqe të qëndrueshme në rajon. Republika e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar për përshpejtimin e fillimit të procesit të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, të cilin e kam inicuar formalisht para gjashtë muajsh”, deklaroi në ‘Facebook’ Osmani.

Zyrtari i lartë amerikan, ndër të tjera, për gazetarët bëri të ditur se po pret nga Qeveria e Kosovës propozime për Asociacionin dhe se SHBA nuk e mbështet formatin e Republikës Serbe.

“Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri. Presim që Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”, vijoi më tej ai.

“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”.