Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate, kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25-vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.
Presidentja Osmani ka thënë se 24 marsi i vitit 1999 ishte ditë të shpresës së madhe për Kosovën, duke përkujtuar nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi.
“25 vite më parë për Kosovën filloi shpresa e madhe. 24 marsi vërtet ishte ditë e shpresës së madhe, sepse për herë të parë aleancat e botës demokratike, u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës, nga regjimi i atëhershëm gjenocidal i Millosheviqit. Dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere, arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë dhe atë ditë të çlirimit, ne edhe do ta shënojmë me 12 qershor të këtij viti, meqenëse është edhe përvjetori jubilar pra 25-vjetori”.
Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka kryer homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, i cili gjendet te Sheshi “Nëna Terezë” në Prishtinë, së bashku me ambasadorë të vendeve perëndimore në Kosovë.
“Kjo ditë e shpresës së madhe u shndërrua në një partneritet të pafuqishëm dhe të palëkundur ndërmjet Kosovës, dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë. Ndaj edhe sot jam shoqëruar nga Ambasadorët, dhe përfaqësuesit e shteteve mike që qëndruan pranë Kosovës jo vetëm me 24 mars, jo vetëm në vitin 1999, por po qëndrojnë me ne edhe sot përderisa përballemi me sfida të shumta për ta fuqizuar Kosovën edhe ndërkombëtarisht”, shtoi presidentja e Kosovës.
Osmani falënderoi secilin nga ushtarët e NATO-së, dhe të gjithë liderët të shteteve demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës.
“Dua edhe njëherë, në emër të popullit të Kosovës, këtij populli që ishte në rrezik nga shfarosja në vitin 1999, t’i falënderoj nga zemra prapa secilin nga ushtarët e NATO-s, të cilët rrezikuan jetën e tyre, në mënyrë që ta shpëtojnë tonën; t’i falënderoj të gjithë liderët e shteteve demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës. Por na dolën Zot, na erdhën në shpëtim, dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh, përderisa ne punojmë bashkërisht që Kosova e sotme, të jetë Kosovë që i bën jo vetëm qytetarët e saj, por edhe miqtë e saj të mburren me sukseset në zhvillimin e demokracisë, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe në fuqizimin e subjektivitetit kombëtar të Kosovës”, ka theksuar Osmani.
“Kosova besoj shumë shpejt do të ulet në NATO, përkrah miqve të cilët na qëndruan pranë në momentet me të vështira, dhe do ta kthejë këtë borxh, duke ndihmuar në vende të tjera, si po ndihmon edhe sot, duke shërbyer krah për krah me ushtrinë amerikane, angleze dhe ushtritë e tjera, dhe duke kontribuar në paqe dhe stabilitet në vende të tjera të botës”. /EO/