Pas një merkatoje, “të zjarrtë”, janari, ku afruan plot 4 lojtarë, me shpresën, për t’i dhënë një mbyllje sa më të mirë këtij sezoni, “Blutë” e Napoli kanë filluar tashmë të mendojnë për merkatom e verës, ku me shumë mundësi, nga kampionët në fuqi të Italisë do të largohet “bomberi” nigerian, Victor Osimhen.
“Ylli” i sulmit, protagonist në titullin e 3-të kampion të napoletanëve që prej verës së kaluar është një prej emrave më të lakuar në fraksionet e merkatove, me “gjigantët” e futbollit evropian që janë në ndjekje të 25-vjeçarit e për këtë arsye bordi i Napoli është në kërkim të një zëvendësuesi të denjë për nigerianin.
Deri më tani lista është e pasur, me plot 4 emra në të, ku ndër më favoritët për të nënshkruar me “Blutë” është holandezi i “Emilianëve” të Bologna, Joshua Zirkzee, i cili ka shkëlqyer në këtë sezon, të Serie A, i cili deri më tani këtë sezon ka shënuar 9 e ka asistuar 4 gola, mes Kupës e kampionatit, në 23 ndeshjet e zhvilluara.
Më tej në listë janë dy “yje” të Bundesliga, Victor Boniface e Serhou Guirassy. Nigeriani i “Aspirinave” të Bayer Leverkusen është ndër protagonistët absolut te djemtë e teknikut Xabi Alonso, me 16 gola e 8 asiste në 23 përballje gjatë gjithë sezonit, ndërsa “bomberi” i Stuttgart ka shpërthyer këtë sezon me plot 19 gola e 2 asistme, në 16 paraqitje.
Mes emrave të preferuar nga drejtuesit e 3 herë kampionëve të Italisë është edhe “bomberi” kanadez, Jonathan David, me 24-vjeçarin e francezëve të Lille, i cili po kalon gjithashtu një sezon të mirë, ku në 27 përballjet e regjistruar deri në këtë pikë të sezoni ka shënuar plot 11 gola për francezët, si dhe ka asistuar 6 të tjerë.