Ekonomi

Opozita: Gjigantët industrialë mund të mbyllen për shkak të krizës energjetike

Deputetët e Komisionit për Ekonomi kanë tri javë që po e presin për raportim ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kur të vijë kjo e fundit, do ta sfidojnë për krizën energjetike që e ka prekur industrinë vendore.

Opozitarët madje ngritin alarmin se gjigantët industrialë mund ta kenë fatin e njëjtë si Ferronikeli që u mbyll për shkak se nuk e përballoi importimin e rrymës, për shkak të rritjes së çmimit.

“Nëse tregu global vazhdon kështu, asnjë industri në Kosovë nuk do ta përballojë çmimin, dhe do të shkojnë në mbyllje”, tha Ferat Shala nga Partia Demokratike, njofton Klan Kosova.

Shala sugjeron shfrytëzimin e burimeve tjera shtesë, në këtë kohë, si disa minihidrocentrale dhe parkun e erës në Shalë të Bajgorës.

Për Ferronikelin, deputetët e pushtetit kanë rezerva. Armend Muja i Vetëvendosjes i ngrit disa hipoteza.

“Jam kundër që kjo situatë të përdoret për t’i ikur obligimeve ndaj punëtorëve, kreditorëve apo për evazion fiskal”, tha ai.

Deputetët e dy taborëve nuk u pajtuan për kohën e organizimit të një debati publik me Ministrinë e Tregtisë dhe Odat Ekonomike, për barrierat tregtare me Serbinë. Opozitarët duan debat brenda tetorit, e shumica pas zgjedhjeve.

Megjithatë, u vendos që të diskutohet me ministren Rozeta Hajdari, që të merret vendimi përfundimtar.