Lajme

Opozita ende pa vota për rrëzimin e Qeverisë

By GAZETA SCANNER 1

August 07, 2023

Partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dy muaj më parë ka kërkuar mocion mosbesimi për qeverinë Kurti.

Deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj ka thënë se janë në proces të negocimit që ky mocion të mbështetet edhe nga dy partitë tjera, LDK dhe PDK.

Megjithatë ai bëri me dije që numrat nuk janë në favor të tyre.

“Ne jemi në proces të negocimit lidhur me mbështetjen e mocionit nga ana e PDK dhe LDK. Strategjia deri më tash ka munguar në nivel të opozitës si tërësi. Ne kemi qenë në si aleancë lider në drejtim të propozimit të modaliteteve lidhur me rrëzimin e qeverisë sepse mendojmë që kjo qeveri sa më shpejt që bie aq më mirë do ti bëjë vendit. Nga shtatori do të fillojnë ndërrimet më të rrepta dhe më radikale në drejtim të ballafaqimit të qeverisë me situatën si në raport me përgjimet, skandalet. Numrat nuk janë në favor tonin. Të gjitha qeveritë që kanë rënë e kanë rrëzuar vetveten”, ka thënë ai.

E deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës,  Xhavit Haliti për Tëvë 1 thotë se zgjidhja e vetme për ta rrëzuar Qeverinë Kurti është nëse përfshihen deputetët e pakicave dhe disa deputetë të Vetëvendosjes.

“Beteja politike e PDK-së do të jetë vazhdimësi e betejave që ka pasur deri tani. Mund të ketë ndonjë ndryshim strategjie për çështje të caktuara por detyrë imediate e opozitës është kontrolli i qeverisë. Individualisht deputetë janë deklaruar se mund ta mbështesin mocionin e AAK por pse PDK dhe LDK nuk e përkrahin mocionin janë krejtësisht politike dhe të arsyeshme. Unë do të thoja që të tri grupet parlamentare të bënin një takim dhe për ta marrë vendim për ta bërë një mocion në emër të opozitës për rrëzimin e qeverisë. Edhe nëse bëhet mocioni unë nuk e besoj që me ardhjen e mocionit mund të bëhet diçka për ta rrëzuar qeverinë. Mund të ketë një zhvillim tjetër i cili synon rrëzimin e qeverisë me përcaktimin e disa deputetëve të pakicave dhe disa deputetëve të vendosjes që kanë pakënaqësi me qeverisjen e vendit”, thotë Haliti.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Tomor Avdija beson që Kurti mund të rrëzohet vetëm mocioni votohet edhe nga deputetë të partisë në pushtet.

“Opozita në përgjithësi ka pasur një kauzë që nuk ka ngjallur shpresë tek qytetarët për ndryshime ose për një hap për tu përballur me qeverinë. Ne kemi parë iniciativat që ka marrë opozita në fakt AAK për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti e cila nuk është përkrahur nga PDK dhe LDK. Qeveria nuk mund të bie sepse ka mungesë të votave. E vetmja mënyrë është në qoftëse rrjedhin vota nga partia në pushtet që e shoh të vështirë sepse kjo parti i mban nën urdhra deputet e saj. Unë e shoh një strategji nga dy partitë opozitare një luftë, garë të fortë gjatë vjeshtë”, vlerëson Avdija.

Ndërkohë Kurti ka më shumë se dy vite që po qeveris me vendin.