Sport

ombëtarja U21 pëson humbje nga Polonia

By GAZETA SCANNER 1

October 11, 2024

Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbje të thellë nga Polonia U21 me rezultat 4:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2025.

Përzgjedhësi Afrim Toverlani e nisi ndeshjen me këtë përbërje: Mustafë Abdullahu, Yll Ibrahimi, Ardi Ajdini, Amar Gerxhaliu, Florian Haxha, Altin Kryeziu, Etnik Brruti, Milot Avdyli, Veton Tusha, Ardit Tahiri dhe Fatjon Bunjaku.

Kosova u paraqit kujdesshëm në 20 minutat e parë, duke poseduar topin dhe duke pasur nën kontrollë ndeshjen, por një gabim i portierit Abdullahu ndryshoi rrjedhën e lojës duke iu vështirësuar misioni Shpresave të Kosovës.

Dardanët e pësuan golin e parë në minutën e 21-të, duke mos pasur mundësi t’i bëjnë rezistencë polakëve e cila në minutat pasues u paraqit rrezikshëm.

Në një interval të shkurtër kohorë, më saktësisht brenda 10 minutave, kombëtarja e cila konsiderohet favorit i grupit bashkë me Gjermaninë, i shënoi Kosovës edhe dy gola të tjerë, njërin në minutën e 25-të dhe të tretin pas gjashtë minutash.

Në përfundim të pjesës së parë, përkatësisht në kohën shtesë, Kosova pësoi golin e katërt dhe fraksioni i parë u përmbyll me rezultat 0:4.

Që në fillim të pjesës së dytë, Kosova aplikoi dy zëvendësime, largoi Abdullahun dhe Haxhajn, ndërsa angazhoi në lojë Leo Besson dhe Diar Vokrrin e më vonë edhe Redon Ismailin në vend të Altin Kryeziut.

As pas këtyre ndërhyrjeve, Dardanët nuk arritën të ndryshojnë rezultat dhe takimi u përmbyll 0:4.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani pas takimit theksoi se ishin gabimet e Dardanëve të cilat quan Kosovën në këtë humbje të thellë: “E kemi ditur që Polonia është skuadër shumë e mirë dhe nuk falin gabime, deri në minutën e 21-të ne kishim posedimin e topit, kishim iniciativë, dhe i afroheshim portës së kundërshtarit, mirëpo gabimi i pafalshëm i portierit tonë, që mund t’i ndodhë çdokujt, bëri që skuadra të dalë nga rrjedha e lojës dhe pasuan gabime tjera. Estonia nuk është si Polonia por duhet të punojmë që kjo humbje të mos ndikojë në aspektin  psikologjik tek futbollistët”.

Edhe kapiteni i Kosovës Milot Avdyli pranoi gabimet e bashkëlojtarëve derisa theksoi se do të përpiqen të shënojnë rezultat pozitiv ndaj Estonisë në udhëtim: “Pas një fillimi të mirë që e patëm besoj se kemi dominuar në 20 minutat e parë, por pastaj ndodhi gabimi nga portieri. Këto gjëra ndodhin në futboll dhe ne do të jemi të bashkuar sepse gjithsecilit nga ne na ka ndodhë në karrierë. Mendoj se pas atij gabimi polakët e morën lojën nën kontrollë. Sigurisht se ne nuk kemi dashur të na ndodhë kjo por të gjithë e dijmë cfarë kombëtare është Polonia, janë favorit bashkë me Gjermaninë. Ne jemi përgatitur mjaft mirë gjatë gjithë kësaj jave taktikisht dhe fizikisht por në futboll ndodhin gabime dhe ne duhet të mësojmë nga kjo për të ardhmen. Tani do të fokusohemi në ndeshjen ndaj Estonisë dhe besoj se do të dalim me një rezultat pozitiv”, theksoi Milot Avdyli.

Kjo humbje Kosovën e lë në vendin e 4-të të Grupit D me gjithsej 12 pikë.

Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon me datë 15 tetorë, ndaj Estonisë në udhëtim.