Botë

OFAC zgjeron listën e zezë me persona të dyshimtë nga Serbia

Zyra për kontrollin e mjeteve të huaja (OFAC), pjesë e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve, ka zgjeruar listën e zezë të individëve dhe personave juridikë. Listës i janë shtuar 17 individë dhe 29 persona juridikë dhe ndaj tyre SHBA-të po ashtu vendosën sanksione.

Në listën e individëve dhe personave juridikë të sanksionuar gjenden edhe shtetas serb. Kështu, listës iu bashkangjiten njerëz të lidhur me Slobodan Teshiq, një nga kontrabandistët më të mëdhenj të armëve në Ballkan, dhe i cili i është bashkangjitur kësaj liste në fillim të këtij viti. Lidhjet e Teshiq përfshijnë edhe disa persona dhe kompani në Bosnje dhe Hercegovinë.

Lista e azhurnuar përfshin tashmë përfaqësuesin e Teshiqit për tregti ndërkombëtare Goran Andriq, i cili drejtpërdrejt ose indirekt drejton kompaninë Velcom Trade nga Beogradi, drejtorin dhe sekretarin e kompanisë Finrost me bazë në Qipro, njëkohësisht përfaqësues i kompanisë Falcon Strategies, Esad Kapigjiq, drejtorin e përgjithshëm të kompanisë Tehnoglobal Systems nga Beogradi, Nebojsha Sharenac dhe drejtorin e Partizan Tek, Zoran Petroviq.

Në listë bëjnë pjesë edhe Milan Subotiq, Zhelimir Petroviq, Sreten Cvetkoviq dhe regjisori Ljubo Maricic.

Përndryshe, në këtë listë, që nga ajnari i 2017, akoma gjendet anëtari aktual i Presidencës së BeH dhe kreu i partisë SNSD, Millorad Dodik.