Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, i ka ofruar publikisht përkrahje kandidates demokrate për presidente të ShBA-së, Kamala Harris, që do të thotë se nënpresidentja tashmë e gëzon mbështetjen e të gjitha figurave të larta aktive të partisë për garën për Shtëpinë e Bardhë.
Obama nuk e kishte shprehur menjëherë përkrahjen e tij pas vendimit të presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga fushata dhe fillimisht besohej se favorizonte një garë të hapur të nominimeve në konventën e Partisë Demokratike, raporton gazeta “The Guardian”.
Sidoqoftë, Obama më në fund iu bashkua Bill e Hillary Clintonit, Nancy Pelosit, disa guvernatorëve shtetërorë e demokratëve të lartë në Kongres në atë që përbën shtytje të madhe për nënpresidenten.
Presidenti i 44-të i ShBA-së dhe bashkëshortja e tij, Michelle, zhvilluan një bisedë telefonike me zonjën Harris që u incizua dhe u publikua nga zyrtarët e fushatës së saj të premten. Në video, Harrisi shihet duke e dëgjuar çiftin Obama përmes një telefoni “iPhone” në dorën e saj të djathtë.
Barack Obama dëgjohet duke thënë: “Ne telefonuam për të thënë se Michele dhe unë nuk mund të ishim më krenarë për të të mbështetur dhe për të bërë gjithçka që mundemi për të të përcjellë në këto zgjedhje e për të të dërguar në Zyrën Ovale.”