Elon Musk, njeriu më i pasur në botë dhe aleat i ngushtë i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, të hënën u takua me ambasadorin e Iranit në Kombet e Bashkuara, raporton gazeta “The New York Times”, duke cituar dy zyrtarë iranianë.
Takimi mes Muskut dhe ambasadorit iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, u mbajt në një vend sekret në Nju-Jork dhe zgjati më shumë se një orë, sipas gazetës së njohur amerikane, e cila citoi zyrtarë iranianë, që thuhet se diskutimet i përshkruan si të përqendruara në atë se si të ulen tensionet mes dy vendeve, përcjell televizioni CNN.
Zyrtarët e administratës së presidentit Joe Biden në OKB nuk ishin të njoftuar se takimi ishte duke ndodhur dhe ende nuk kanë pranuar një konfirmim të pavarur se takimi është mbajtur, i tha televizionit CNN një zyrtar amerikan.
Takimi i raportuar ndodh në kohën kur ekspertët po spekulojnë se katër vitet e ardhshme mund të paraqesin test të konsiderueshëm për Iranin. Gjatë mandatit të parë të Trumpit, fushata me “presion maksimal” kundër Teheranit e kishte rritur izolimin e Iranit dhe e kishte dëmtuar ekonominë e këtij shteti, thonë ekspertët.
Që nga largimi i Trumpit nga pushteti në vitin 2020, Irani e ka shtuar pasurimin e uraniumit, i ka rritur eksportet e naftës, e ka shtuar përkrahjen për grupet militante rajonale dhe ka vendosur një precedent duke e sulmuar dy herë drejtpërdrejt me Izraelin.
Biseda e raportuar e miliarderit Musk me zyrtarin iranian ngre pyetje për atë se si mund të duket ndikimi i tij në administratën e re amerikane, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme të ShBA-së, thekson televizioni CNN./Nacionale/