Sport

Nxënësi përballë mësuesit, luhet Tottenham-Chelsea

Ndeshja e fundit përpara periudhës së Krishtlindjes, që në ishull përkon me javën tradicionale, e cila në Angli është pagëzuar “boxing day”, është pikërisht Tottenham Hotspur-Chelsea, dueli i famshëm ndërmjet dy skuadrave të mirënjohura londineze.

Një pasdite interesante që rezervon një përballje tepër të vecantë të Jose Mourinho-s me ish-ekipin e tij. Nën drejtimin e trajnerit portugez “gjelat” kanë fituar 4 nga 5 sfidat e fundit në Premier League, në një kohë kur me Pochettino-n në timon skuadra numëronte vetëm 3 fitore gjithsej dhe rrëshqiti deri në pozicionin e 14 në renditje. Një formë krejtësisht e ndryshme për dy ekipet, duke patur parasysh faktin që “blutë” paraqiten në këtë derbi me 4 humbje në 5 ndeshjet e fundit në kampionat. Mbi të gjitha duke lënë mënjanë disfatat deri diku të kuptueshme jashtë fushe të Chelsea-t me rivalë si City apo Evertoni, “blutë” nën drejtimin e ish-kapitenit të tyre Frank Lampard janë mundur gjithashtu edhe nga kundërshtarë si West Ham dhe Bournemouth, për më tepër brenda në Stamford Bridge.

Natyrisht që të gjithë presin një përqafim të përzemërt mes dy trajnerëve, tek e fundit rasti tipik kur mësuesi përballet me nxënësin, sidoqoftë vlen të përmendet fakti që në momentin e emërimit të trajnerit të famshëm luzitan Chelsea kishte plot 12 pikë më tepër se sa “Spurs”, ndërsa tani blutë numërojnë vetëm 3 pikë më shumë, kështu që në mënyrë të kuptueshme një fitore e Tottenham-it do t’i ngjiste “gjelat” menjëherë në zonën Champions, duke kaluar vërtet shumë shpejt në klasifikimin e përgjithshëm një rival të drejtpërdrejtë për këtë objektiv si Chelsea.

Një ndeshje shumë e rëndësishme mbi të gjitha për Chelsea-n, që ka nevojë për t’u ringritur, sepse në krahun tjetër “Spurs” do të kenë një kalendar tepër të favorshëm, me kundërshtarë si Brighton, Norwich apo dhe Southampton. Të vetmen humbje Tottenham-i në Premiership e ka pësuar nga ish-ekipi i tij Manchester United, gjithsesi Mourinho në shtëpi nuk ka humbur asnjëherë në karrierë një ndeshje me një ekip kundërshtar të cilin e ka drejtuar më parë, madje 56-vjecari nga Setubali ka fituar 12 prej këtyre 13 përballjeve, e një tjetër sukses i mundshëm në mënyrë të kuptueshme do t’i jepte “gjelave” fitoren e tretë rresht në kampionatin anglez, gjë që “lilywhites” nuk e arrijnë që nga muaji shkurt i këtij viti.

Vendasit kanë dështuar për të mundur një kundërshtar nga ekipet e ashtuquajtur “big six” në kampionat prej plot 10 ndeshjesh, më saktë 7 humbje dhe tre barazime, periudhë e gjatë agjërimi që zgjat prej 13 muajsh, që nga derbi me

Chelsea-n në Wembley, megjithëse për hir të së vërtetës shumicën e këtyre përballjeve Tottenham-i e ka patur jashtë fushe, ku në fakt “spurs” kanë vuajtur ndjeshëm gjatë vitit 2019. Në këtë edicion në stadiumin e ri të “gjelave” ia ka dalë për të fituar vetëm një ekip si Newcastle United dhe “spurs” numërojnë gjashtë ndeshje pa humbje, duke shënuar madje plot 12 gola në tre ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet nën drejtimin e Jose Mourinho-s.

Kurioz është fakti që trajneri portugez nuk ka humbur asnjë nga 54 sfidat e fundit në Premier League kur ekipi i tij ka shënuar i pari, duke fituar 48 prej tyre, ndërsa Chelsea në krahun tjetër në të kundërt ka dështuar për të marrë qoftë edhe një pikë në të gjithë rastet kur ekipi i Lampardit ka pësuar gol i pari. “Blutë” rrezikojnë të pësojnë tre humbje radhazi për herë të parë që nga nëntori i vitit 2015, një ecuri negative që si c’dihet në vazhdim vetëm një muaj më pas i kushtoi stolin trajnerit aktual të “gjelave” Jose Mourinho.

Pavarësisht se për tifozët do të mbahet mend si viti i fitimit të Europa League-s gjatë vitit 2019 Chelsea ka humbur plot 15 ndeshje gjithsej në të gjithë kompeticionet. Kaq humbje ky klub nuk i pësonte prej plot cerek shekulli, më saktë që nga viti i largët 1994, por sidoqoftë përshtypja e krijuar është që me Lampardin në timon ekipi ka bërë mirë, në këtë pjesë të parë të sezonit. I shtrënguar për t’u mbështetur te të rinjtë, për shkak të ndëshkimit të klubit nga FIFA, 41-vjecari londinez i ka dhënë hapësirë lojtarëve të tillë si Tammy Abraham, Mason Mount dhe Fikayo Tomori, që pritet të jenë edhe shtyllat kryesore të ekipit për dekadën e ardhshme.

Dilemat në kokën e Lampard-Hit duhet të jenë vërtet të mëdha, duke marrë në konsideratë faktin që drejtuesit e klubit i kanë ofruar trajnerit të ri plot 150 milionë stërlina për të përforcuar skuadrën, gjatë muajit të ardhshëm. “Blutë” kanë mbyllur vetëm katër ndeshje pa pësuar në të gjithë aktivitetet, por gjithashtu Chelsea është edhe ekipi që ka pësuar më tepër humbje në gjysmën e parë të tabelës së renditjes, në kampionatin anglez, goxha kontrast duke patur parasysh që nën drejtimin e Mourinho-s Lampard fitoi titullin kampion duke pësuar më pak gola, rekord që vazhdon të mbetet i pathyer, transmeton SS. Mourinho nuk është mundur kurrë në rastet kur është përballur me asistentët apo dhe ish-lojtarët e tij, pra me emra si Brendan Rodgers, Aitor Karanka apo dhe me trajnerin e Wolverhampton-it Nuno, sidoqoftë vlen të kujtohet fakti që 15 muaj më herët, ndonëse vetëm pas gjuajtjes së 11-metërshave, Frank Lampard asokohe në drejtimin e Derby County-t ia doli mbanë për t’i eliminuar “djajtë e kuq” brenda në Old Trafford, në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Ligës.